MASHT

MINISTRJA NAGAVCI MBAJTI TAKIMIN E RREGULLT ME PËRFAQËSUESIT E DREJTORIVE KOMUNALE TË ARSIMIT

20 Qershor, 2024

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe zyrtarë të MAShTI kanë mbajtur takimin e rregullt me përfaqësuesit e Drejtorive Komunale të Arsimit.

Në këtë takim fillimisht është bërë prezantimi teknik i projektit e-Twinning nga Zyra Mbështetëse e këtij programi në Kosovë dhe më pas janë diskutuar çështje të rëndësishme të cilat ndërlidhen me procesin mësimor dhe arsimin në përgjithësi, si: përfundimi i vitit shkollor 2023-2024, përgatitjet përfundimtare rreth Provimit të Arritshmërisë dhe Provimit të Maturës, licenca e avancuar e mësimdhënësve, konkurset për regjistrimin e nxënësve në klasën e 10-të dhe rregullorja për procedurat e rekrutimit të personelit arsimor.

Ministrja Nagavci me këtë rast ka falënderuar DKA-të për sukseset dhe rezultatet e përbashkëta të cilat janë arritur këtë vit shkollor, ndërsa ka shprehur përkushtimin e saj për të bashkëpunuar tutje në realizimin e synimeve të përbashkëta për një arsim sa më cilësor në Kosovë.

Zëvendësdrejtori i Departamentit të Arsimit Parauniversitar, Avni Rexha tha se, rregullorja për procedurat e rekrutimit të sistemit arsimor është përfunduar dhe është dërguar në Qeveri, ku pritet të miratohet nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, po ashtu janë hartuar Udhëzues të punës, të nevojshëm për rekrutim të personalit arsimor, si dhe për Drejtor.

U.D. Udhëheqësi i Divizionit për Standarde dhe Monitorim, Fatmir Elezi tha se, këtë vit aplikimi për testin e maturës është bërë përmes platformës e-Kosova, tutje tha se administratorët janë caktuar nëpër Qendra dhe se testi i arritshmërisë për klasat e nënta është nën menaxhim të DKA-ve.

Drejtori i Departamentit të Arsimit dhe Aftësimit Profesional, Lah Nitaj, tha se, ky është viti i tretë prej se ka filluar me arsimin dual në arsimin profesional, fillimisht është filluar me katër profile, ndërsa vitin e kaluar është hartuar kurrikula e materiale mësimore dhe programet trajnuese të mësimdhënësve edhe për tetë profile tjera, që gjithsej janë dymbëdhjetë profile. Tutje tha se këtë vit shkollor këto dymbëdhjetë kurrikula, aty ku janë aplikuar, kanë qenë njëzet e katër shkolla që i kanë zbatuar, në katërmbëdhjetë  komuna, të vazhdojnë të njëjtat të ofrohen si arsim dual për gjeneratën që regjistrohet.

Last modified: 20 Qershor, 2024