Në kuadër të fushatës njëmujore sensibilizuese kundër dhunës në shkolla me moton “Të gjithë së bashku për shkollën miqësore”, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci sot ka qëndruar në qytetin e Gjakovës, ku fillimisht është takuar me kordinatorët e cilësisë në shkollat e kësaj komune.
Në këtë takim është biseduar për karakterin e fushatës dhe zbatimin e politikave kundër dhunës në shkolla.
Ministrja Nagavci theksoi se, sado që të kemi politika të mira, faktori më i rëndësishëm në këtë drejtim vazhdojnë të mbesin mësimdhënësit dhe ata që punojnë drejtpërdrejtë me fëmijët.
Po ashtu, ministrja theksoi nevojën e angazhimit të të gjithë akterëve në mënyrë që të avancohet çështja e sigurisë të fëmijëve.
Ajo tha se do ta kenë përkrahjen e saj dhe të MAShTI për të zgjidhur çdo vështirësi në këtë drejtim.
Më pas, ministrja Nagavci është takuar me një grup të nxënësve në shkollën “Kelmend Rizvanolli” në Gjakovë, me të cilët ka biseduar për pasojat që sjellë çdo mënyrë e dhunës në zhvillimin e fëmijëve.
Pasi që i është përgjigjur shumë pyetjeve të nxënësve, ministrja i ka porositur ata që të adresojnë dhunën kudo që ata e identifikojnë. Në këto takime u theksua roli i rëndësishëm që ka psikologu dhe pedagogu në shkolla.
Ministrja Nagavci bëri të ditur se, Qeveria e Kosovës tashmë ka ndarë buxhetin për rritjen e e numrit të psikologëve në shkolla dhe uroi që komunat në kuadër të përgjegjësive që kanë, këtë çështje ta trajtojnë me seriozitet, të shpallin konkurset dhe të mos pranojnë kuadër tjetër për pozitat të cilat i kanë të lejuara për psikologë.
Last modified: 15 Mars, 2023