MASHT

MINISTRJA ARBËRIE NAGAVCI DHE KRYETARI I SBASHK-UT, RRAHMAN JASHARAJ IU BËJNË THIRRJE MËSIMDHËNËSVE TË VAKSINOHEN

4 Gusht, 2021

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, iu kanë bërë thirrje mësimdhënësve që sa më parë të marrin vaksinën kundër Covid-19.

Në takimin që kanë pasur sot ministrja Nagavci dhe kryetari Jasharaj është biseduar për përgatitjet që janë duke u bërë në mënyrë që viti i ri shkollor të fillojë me prezencë në shkollë.

Ministrja Nagavci është shprehur e shqetësuar për numrin e vogël të mësimdhënësve që janë vaksinuar deri më tani, në kohën kur ka vaksina të mjaftueshme, prandaj iu ka bërë thirrje të gjithë mësimdhënësve që të vaksinohen sa më parë, në mënyrë që të kenë kohë të mjaftueshme për të marrë dy dozat e vaksinës para fillimit të vitit shkollor.

Edhe kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj e ka përsëritur të njëjtën thirrje për mësimdhënësit, ndërsa ka theksuar se Sindikata do ta përkrahë çfarëdo iniciative që i motivon mësimdhënësit të vaksinohen.

Në këtë takim është biseduar edhe për çështje të tjera me rëndësi për mësimdhënësit që kanë të bëjnë me rishikimin e bazës ligjore, për mësimin plotësues, si dhe për Kalendarin e vitit shkollor 2021/2022.

Last modified: 7 Qershor, 2022

Comments are closed.