Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti bashkë me ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi kanë takuar studentët përfitues të bursave nga komunitetet rom, egjiptian, ashkali, për vitin akademik 2023/24.
Kryeministri Kurti me këtë rast ka thënë se, si Qeveri besojmë se mënyra më e mirë se si një person, një komunitet dhe një shtet mund të përparojë është nëpërmjet arsimit, ndërsa shtoi se gjendet në mesin e studentëve për të ndarë me ata arritjet e tyre si studentë dhe për t’i mbështetur dhe inkurajuar në punën e tyre studimore.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci përgëzoi studentët për përfitimin e bursave, ndërsa i’u uroi suksese në studime dhe në përfitimin e njohurive të cilat do të jenë me interes jo vetëm për ata si studentë, por edhe për familjen dhe shoqërinë.
Ndër të tjera, ministrja Nagavci tha se po jetësohen zotimet për krijimin e një shoqërie që kujdeset për të gjithë qytetarët, një qeverie që ofron mbështetjen e merituar për secilin dhe një shteti që krijon kushtet që të gjithë të realizojnë potencialin e tyre të plotë.
Ministrja Nagavci po ashtu theksoi se, diversiteti është vlerë e shtuar e shoqërisë sonë multietnike, andaj integrimi i suksesshëm i komuniteteve është më shumë mundësi dhe më shumë progres për shoqërinë tonë. Gjithashtu ministrja Nagavci inkujaroi studentët që të përqëndrohen në arritjen e sukseseve akademike, sepse në këtë mënyrë ata rrisin mundësitë për një punë të mirë, e cila përveç sigurimit të aspektit financiar, do të ndikonte edhe në luftimin e stereotipeve dhe paragjykimeve si dukuri.
Ndryshe, në vitin akademik 2022/2023 MAShTI ka ndarë për herë të parë 26 bursa nga 1000 euro për studentët e vitit të parë universitar nga komunitetet rom, ashkali, egjiptian.
Në vitin akademik 2023/2024 janë përzgjedhur 55 përfitues të bursave nga 1000 euro nga komunitetet rom, ashkali, egjiptian në universitetet publike të Kosovës.
Në vitin 2021/2022 janë ndarë 500 bursa nga 300 euro për nxënës të shkollave të mesme nga komunitetet rom, ashkali, egjiptian. Në vitin 2022/2023 janë ndarë 498 bursa nga 300 euro. Për vitin 2023/2024 janë në proces të shqyrtimit dhe përgatitjes për pagesë 500 bursa nga 300 euro.
Last modified: 19 Dhjetor, 2023