14 Gusht 2020
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, në kuadër të vizitave që është duke i zhvilluar nëpër komunat e Kosovës, për të parë nga afër përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor 2020/2021, është pritur sot nga nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Muhedin Nushi.
Ministri Likaj, me këtë rast ka falënderuar nënkryetarin Nushi dhe drejtoreshën e DKA-së në Prishtinë, Shpresa Shala për bashkëpunimin e ngushtë gjatë gjithë kohës, në rrethanat e krijuara nga pandemia Covid-19, sa i përket përgatitjeve për fillimvit dhe rikthimit të nxënësve në ambientet shkollore.
Ministri Likaj, ndër të tjera ka folur edhe për propozimin financiar për buxhet shtesë, në kuadër të planit dinamik për përgatitjet për vitin e ri shkollor në objekte shkollore, i cili do të destinohet për blerjen e aparatëve dezinfektues, të cilët planifikohet që të vendosen në secilën shkollë, si dhe angazhimin e 1 mijë mësimdhënësve rezervë, të cilët do të angazhohen në zbatimin e planit për mbrojtje nga COVID-19.
Gjithashtu, është diskutuar rreth mundësisë së ndërtimit të Qendrës së Kompetencës për IT, në Prishtinë.
Ndërsa nënkryetari, Nushi ka prezantuar gjendjen e krijuar nga pandemia dhe numrin e të shëruarve dhe rasteve aktive në Prishtinë, me theks të veçantë personat e moshës nën 18 vjeçare, të cilët i përkasin sistemit të arsimit paraunivesitar.
Nënkryetari Nushi, po ashtu ka folur për protokolin me rregullat për hapjen e shkollave më 1 shtator dhe mundësitë për zbatimin e skenarëve A dhe B në shkolla e Komunës së Prishtinës.
Last modified: 8 Qershor, 2022