Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, në vazhdim të vizitave në shkollat e Kosovës, ka vizituar sot shkollën fillore “Mihal Grameno” në Fushë Kosovë, ku ka bashkëbiseduar me udhëheqësit e shkollës dhe mësimdhënësit për të arriturat dhe vështirësitë që hasen gjatë zhvillimit të procesit mësimor.
Me këtë rast, ministri Bytyqi theksoi se ky është një vit i rëndësishëm shkollor, pasi që po bëhen përpjekje të mëdha për angazhimin e të gjithë akterëve për ta lëvizur përpara sistemin e arsimit.
“Nëse ne i shohim problemet që ka sistemi arsimor, që i kanë shkollat tona, si një problem të përbashkët për ta zgjidhur, besoj se jemi pikërisht në vitin kur do ta marrim një rrugë të mbarë në arsim”, tha Ministri.
![](https://masht.rks-gov.net/uploads/2018/09/foto2-fushekosove.jpg)
Ministri Bytyqi përmendi edhe situatën në këtë shkollë dhe në përgjithësi në komunën e Fushë Kosovës, ku nga ardhja e banorëve nga pjesë tjera të Kosovës, është rritur shumë numri i nxënësve. Por, ai shprehu gatishmërinë për të gjetur zgjidhje në këtë situatë.
“Jemi të gatshëm që të jemi në krah me ju, që të ulemi bashkë me ju, edhe me Ministrinë e Financave që të bëjmë zgjidhje”, tha ministri Bytyqi, pasi që theksoi se duhet të rritet numri i paraleleve, pra edhe i mësimdhënësve, në mënyrë që të mos kemi klasa të stërngarkuara, e për pasojë edhe mungesë të cilësisë në arsim.
Ministri Bytyqi, po ashtu theksoi se, Fushë Kosova është komuna që ka nevojën më të theksuar për ndërtimin e shkollave të reja dhe për këtë tha se nevojitet një angazhim i përbashkët me Komunën, e cila është e obliguar të sigurojë hapësirën dhe për këtë përmendi dështimin e ndërtimit të një shkolle në Fushë Kosovë për këtë arsye.
Me gjithë vështirësitë, Ministri përgëzoi mësimdhënësit për punën që po bëjnë dhe i porositi ata që profesionin ta marrin gjithmonë si të shenjtë dhe të ofrojnë dije e kompetenca të duhura për fëmijët tanë.
Në fund, ministri Bytyqi përmendi edhe rolin e prindërve dhe theksoi se ata duhet ta luajnë një rol shumë të rëndësishëm, pasi që tha se, nuk mund të lëvizim përpara pa prindër.
![](https://masht.rks-gov.net/uploads/2018/09/foto3-fushekosove.jpg)
Last modified: 10 Nëntor, 2022