MASHT

MINISTRI BYTYQI VIZITOI DISA SHKOLLA NË KOMUNËN E DEÇANIT

7 Shtator, 2018

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, i shoqëruar nga kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka qëndruar sot në Deçan, ku ka vizituar tri shkolla të kësaj komune dhe ka biseduar me udhëheqësit e shkollave, mësimdhënës e nxënës për të arriturat në këto shkolla.

Pas vizitave në Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët “Isa Boletini” në Isniq, (e cila sot shënoi 70 vjetorin e themelimit), në Shkollën e Mesme Teknike “Tafil Kasumaj” dhe në atë “Lidhja e Prizrenit”, ministri Bytyqi u shpreh i kënaqur për punën që po bëhet.

Duke folur për arsimin profesional në shkollën “Tafil Kasumaj”, ministri Bytyqi, pasi që vizitoi kabinetet dhe ambientet tjera të kësaj shkolle, theksoi edhe faktin se kjo shkollë është në një fazë shumë të rëndësishme, pra në fazën e validimit të profileve.

“Edhe këtu u pa një angazhim i jashtëzakonshëm edhe i menaxhemntit, edhe i mësimdhënësve, por mbi të gjitha ishte kënaqësi t’i shohim nxënësit se si ata po përgatiten me kompetenca dhe shkathtësi të mjaftueshme, në mënyrë që pas mbarimit të shkollës të jenë të gatshëm për tregun e punës”, tha ministri Bytyqi.

Ministri theksoi se puna në këtë shkollë është shembull i mirë i asaj se si bëhet një punë e madhe në arsim dhe theksoi faktin se është informuar nga menaxhmenti i shkollës se edhe mësimdhënësit janë shumë të përgatitur dhe e ushtrojnë me përkushtim profesionin e tyre.

“Ne jemi të gatshëm të jemi më shpesh edhe në Deçan edhe në komunat tjera, në mënyrë që bashkëpunimi ynë të jetë sa më i afërt. Kjo afërsi dhe ky bashkëpunim do të na qojë drejt synimit të përbashkët që të kemi një sistem arsimor çfarë po pretendojmë dhe jemi në rrugë të mirë për të realizuar këtë qëllim”, tha ministri Bytyqi.

Vizita e ministrit Bytyqi në Deçan është bërë në vazhdën e vizitave që po iu bën komunave dhe shkollave të Kosovës për të parë nga afër punën që po bëhet, të arriturat dhe sfidat, por edhe për të krijuar një bashkëpunim më të mirë, në mënyrë që me bashkëpunimin e të gjithë akterëve të arrihet synimi për ngritje të cilësisë në arsim.

Last modified: 10 Nëntor, 2022

Comments are closed.