MASHT

MINISTRI BYTYQI U TAKUA ME UDHËHEQËS TË UP-SË DHE PARLAMENTIT STUDENTOR

3 Tetor, 2018

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, është takuar sot me rektorin e Universitetit të Prishtinës ”Hasan Prishtina”, z. Marjan Dema, kryesuesen e Këshillit Drejtues të UP-së, znj. Ardiana Bunjaku dhe përfaqësues tjerë të KD-së dhe të Parlamentit Studentor të UP-së, të cilët i ka uruar për një fillim të mbarë e të suksesshëm të vitit të ri akademik 2018/19.

“Uroj që këtë vit akademik, së bashku me profesorët dhe studentët të arrini sukses dhe rezultate të mira në punën tuaj, në përgatitjen e kuadrove të afta për tregun e punës dhe në punën tuaj hulumtuese shkencore”, tha ministri Bytyqi.

Ministri theksoi se MAShT është e interesuar dhe e përkushtuar për rritje të vazhdueshme të cilësisë në këtë institucion, që Universitetit i Prishtinës të jetë shembulli i suksesit për të gjitha institucionet e arsimit të lartë në Kosovë.

“Universiteti i Prishtinës padyshim është kupola e arsimit të lartë në Kosovë dhe të gjithë së bashku, në bashkërenditje me Këshillin Drejtues, Rektorin, Parlamentin Studentor, profesorët dhe studentët, mund dhe duhet ta bëjmë më të mirën e mundshme që ky institucion i dashur për të gjithë, vërtetë të shkëlqejë në çdo aspekt”, u shpreh ministri Bytyqi.

Ministria e Arsimit, tha ministri Bytyqi, me politika adekuate mbështetë fuqishëm Universitetin e Prishtinës në rritën dhe zhvillimin e tij akademik, ndërsa jemi të gatshëm që kurdoherë që është nevoja të ofrojmë mbështetjen e duhur në zgjidhjen e problemeve eventuale që shfaqen, në funksion  të zhvillimit të UP-së, realizimin e agjendave dhe ngritjen e cilësisë, si synim i përbashkët i të gjithëve.

Po ashtu, ministri Bytyqi iu ofroi mbështetje edhe përfaqësuesve të Parlamentit Studentor, të cilëve iu tha se MAShT do të mbështesë çdo kërkesë të tyre të arsyeshme, e cila është në funksion të ngritjes së cilësisë në arsim dhe në interes të studentëve.

Last modified: 10 Qershor, 2022

Comments are closed.