MASHT

MINISTRI BYTYQI RAPORTOI PARA KOMISIONIT PARLAMENTAR PËR ARSIM RRETH PËRFUNDIMIT TË VITIT SHKOLLOR 2017/2018 DHE FILLIMIT TË VITIT TË RI

12 Tetor, 2018

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka raportuar sot para Komisionit Parlamentar për Arsim lidhur me përfundimin e vitit shkollor 2017/2018 dhe fillimin e vitit të ri shkollor. Me këtë rast, ministri Bytyqi ka theksuar se viti i kaluar shkollor ka përfunduar me sukses sipas afatit të paraparë në kalendarin shkollor, ndërsa sipas kalendarit të ri, ka filluar edhe viti shkollor 2018/2019.

Sa i përket vitit të kaluar shkollor, ministri Bytyqi veçoi organizimin me sukses të Provimit të Maturës Shtetërore, ndërsa tha se po shikohen mundësitë për hapjen e një debati të mirëfilltë, i cili do të ndikonte në rritjen e cilësisë së këtij provimi në të gjitha aspektet.

Ministri tha se viti i ri shkollor ka filluar me sukses, përveç në 9 shkolla, ku është filluar mësimi me vonesë për shkak të punimeve që nuk janë përfunduar me kohë, por që orët e humbura në këto shkolla do të kompenzohen.

Gjithashtu, ministri Bytyqi tha se po vazhdon zbatimi i kurrikulës së re, ndërsa përmendi faktin se është shpallë konkursi për tekste të reja shkollore, për të cilat tha se do të jenë tekste bashkëkohore konform Kornizës së Kurrikulës së Kosovës dhe do të jenë të gatshme në fillim të vitit të ri shkollor. Ndërsa, për këtë vit, janë në përfundim e sipër udhëzuesit për mësimdhënës për përdorimin e teksteve të vjetra, duke i harmonizuar me kurrikulat e reja.

Ministri përmendi se edhe këtë vit janë shpërndarë tekstet falas për nxënësit nga kl.1-9 sipas kërkesave të drejtorive komunale të arsimit.

Ministri Bytyqi foli për fillimin e procesit të vlerësimit të performancës së mësimdhënësve, ndërsa shtoi se për rëndësinë e këtij procesi ka marrë vlerësime pozitive edhe nga institucione dhe ekspertë të arsimit gjatë vizitës zyrtare në ShBA.  

Ministri theksoi se sa i përket arsimit të fëmijëve me nevoja të veçanta është shënuar edhe një e arritur, duke qenë se këtë vit do të punësohen 100 asistentë, por tha se po shikohen mundësitë që në këtë drejtim të angazhohen edhe studentët e Fakultetit të Edukimit.

Duke folur për arsimin dhe aftësimin profesional, Ministri theksoi se po bëhen përpjekje që të krijohen më shumë mundësi për organizimin e punës praktike, sepse për herë të parë këtë vit, me kërkesën dhe argumentimin e MAShT është miratuar buxheti shtesë prej 1 milion euro që do të shërbejë për realizimin e praktikës profesionale me mjete bashkëkohore.

Në këtë takim, ministri Bytyqi raportoi edhe për zhvillimet në arsimin e lartë, ku ndër të tjera përmendi hartimin e udhëzimit administrativ me të cilin rregullohet çështja e regjistrimit të studentëve të rinj.

Me qëllim të ngritjes së cilësisë në të gjitha nivelet e arsimit, ministri Bytyqi përmendi edhe shumë hapa që janë ndërmarrë, ose që janë duke u planifikuar, duke përfshirë funksionalizimin e Këshillit Kombëtar të Cilësisë, çështjen e zgjedhjes së drejtorëve të shkollave me qëllim depolitizimin e arsimit, akreditimin programeve të shkollave të mesme profesionale.

Megjithatë, Ministri theksoi nevojën e rritjes së buxhetit në mënyrë që të realizohen synimet e përbashkëta për ngritjen e cilësisë në arsim.

Gjatë takimit, ministri Bytyqi përmendi edhe çështjes e ristrukturimit funksional të MAShT-it, si ministria e parë që i është nënshtruar këtij procesi, ndërsa theksoi se tashmë është filluar puna me implementimin e organogramit të ri të miratuar javën e kaluar.

Last modified: 10 Nëntor, 2022

Comments are closed.