Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Shyqiri Bytyqi priti në takim znj. Afshan Khan, drejtore rajonale e UNICEF-it për Evropë dhe përfaqësues tjerë në Kosovë , me të cilët bisedoi për mundësitë e përforcimit të partneritetit ekzistues ndërmjet MAShT , UNICEF dhe institucioneve tjera të vendit për edukimin në fëmijëri të hershme , përmirësimin e cilësisë në arsim dhe çështje tjera me interes .
Me këtë rast ministri Bytyqi ka falënderuar përfaqësuesit e UNICEF për bashkëpunim dhe mbështetjen e vazhdueshme në edukimin dhe realizimin e të drejtave të fëmijëve në Kosovë , njëherësh theksoi nevojën e thellimit të këtij bashkëpunimi edhe në të ardhmen .
Ministri Bytyci theksoi se është shumë me rëndësi që programet dhe synimet tona si institucion janë në përputhje edhe me programet e UNICEF , prandaj edhe bashkëpunimi është më i lehtë dhe më i suksesshëm.
Duke e ditur rëndësinë e edukimit në fëmijëri të hershme , ne jemi të angazhuar që të rrisim numrin e përfshirjes së fëmijëve nga mosha 3-5 vjeçare , porse aktualisht nuk kemi kapacitetet të mjaftueshme që të arrijmë standardet evropiane në këtë drejtim.
Sa i përket përmirësimit të cilësisë në arsim , ministri Bytyqi tha se tashmë ka filluar të implementohet Kurrikula e re porse ende kemi nevojë për trajnimin e mësimdhënësve, në aspektin e të kuptuarit thelbësorë të përmbajtjes kurrikulare dhe aplikimit të metodologjive bashkëkohore në mësimdhënie.
Ndërsa, sa i përket gjithëpërfshirjes në arsim , ministri Bytyqi theksoi se gjithëpërfshirja është evidente në të gjitha dokumentet strategjike të zhvillimit të arsimit në Kosovë dhe se janë bërë hapa të mirë në këtë drejtim , por natyrisht ka ende punë për tu bërë sidomos në vetëdijesimin e nxënësve dhe prindërve të komunitetit RAE për rëndësinë e shkollimit të fëmijëve.
Sa i përket përfshirjes së fëmijëve me nevoja të veçanta në klasat e integruara , ministri Bytyqi tha se është lajm i mirë që do të kemi kod të ri buxhetor që lehtëson punën e asistenteve që do të përkujdesen për edukimin e këtyre nxënësve në shkolla.
Last modified: 19 Korrik, 2022