21 Qershor 2019
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, mori pjesë në tryezën e rrumbullakët “24 qershori- Dita nacionale e komunitetit egjiptian ”, ku ishin të pranishëm edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj dhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica.
Në këtë bashkëbisedim, të organizuar në kuadër të aktiviteteve festive ”Java Egjiptiane”, u fol për angazhimet institucionale shtetërore, përfshirë këtu edhe sfidat në përmbushje të kërkesave të komunitetit egjiptian që jeton në Kosovë .
Ministri Bytyqi, ndër tjera tha se, MAShT është angazhuar që të krijojë kushte të barabarta për të gjithë qytetarët e Kosovës në edukim dhe arsimim, duke shqyrtuar me seriozitet çdo kërkesë që ka ardhur nga të rinjtë dhe përfaqësuesit e komunitetit.
Ministri Bytyqi theksoi se, MAShT ka nxjerrë një vendim shumë të rëndësishëm, me të cilin u është mundësuar të gjithë nxënësve dhe të rinjve të komunitetit egjiptian dhe të tjerëve të regjistrohen në secilin program shkollor nga 5 nxënës mbi normën zyrtare e cila ka qenë e lejuar.
Në vazhdim, ministri Bytyqi përmendi se, vitin e kaluar janë ndarë 750 bursa për nxënësit e komuniteteve, gjë që ka ndikuar në krijimin e kushteve më të mira për shkollim, ndërsa shtoi se është krijuar mundësia e regjistrimit në universitetet publike, me kuota të rezervuara dhe me përqindje të gatishmërisë më të ulët, si dhe strehim në konvikte.
Ministri Bytyqi e vlerësoi të rëndësishme edhe hartimin e infrastrukturës ligjore për themelimin e Qendrave Arsimore për Komunitetet, duke siguruar kështu vazhdimësinë e funksionimit të tyre, si një mundësi e mirë e me ndikim në ngritjen e vetëdijes dhe të interesimit për shkollim.
Në fund, duke ua uruar festën përfaqësuesve të komunitetit egjiptian, ministri Bytyqi tha se, MAShT do të vazhdojë me krijimin e kushteve të mira për shkollim për të gjithë, që të përgatiten, të arsimohen dhe aftësohen për vete dhe për nevojat e shoqërisë e të shtetit.
Last modified: 10 Nëntor, 2022