14 Janar 2019
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka marrë pjesë në mbledhjen e radhës të Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, të kryesuar nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.
Në këtë mbledhje, ministri Bytyqi foli për zhvillimin e arsimit dhe aftësimit profesional në funksion të zhvillimit ekonomik. Ai tha se ky segment i arsimit është një ndër prioritetet e MAShT, ndërsa foli për angazhimet e Ministrisë për zhvillimin e mësimit dual në Kosovë.
Ministri Bytyqi theksoi se, është shënuar progres në ndërlidhjen e mësimit teorik me atë praktik, ndërsa veçoi bashkëpunimin me ndërmarrjet e përpunimit të drurit, si dhe ato metalpunuese.
Ministri foli edhe për procesin e hartimit e kurrikulës për arsimin dhe aftësimin profesional, e cila tashmë është në fazën e diskutimeve, ndërsa përmendi edhe finalizimin e Udhëzimit Administrativ që rregullon formën duale të mësimit.
Po ashtu, ministri Bytyqi tha se është hartuar edhe Rregullorja për mbrojtjen e nxënësve gjatë mësimit të tyre praktik në ndërmarrje, si dhe janë aftësuar 35 mësimdhënës për mësimin dual, ndërsa do të vazhdohet me përgatitjen e gjeneratave të tjera të mësimdhënësve në këtë drejtim.
Ministri Bytyqi theksoi mbështetjen e partnerëve zhvillimor të fokusuar në arsimin dhe aftësimin profesional, sidomos mbështetjen e Qeverisë Gjermane dhe asaj të Luksemburgut.
Last modified: 10 Nëntor, 2022