MASHT

Ministri Bytyqi mori pjesë në lansimin e Databazës për Qendrën e Karrierës në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”

31 Tetor, 2017

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka marrë pjesë në ceremoninë e lansimit të Databazës për Qendrën e Karrierës në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, me ç’rast është themeluar edhe Asociacioni Alumni.

Ministri Bytyqi e vlerësoi këtë si një ngjarje të rëndësisë së veçantë, pasi që vihet në shërbim të studentëve një databazë që do t’ju mundësojë atyre të kenë qasje në intershipe dhe oferta për punë, shërbime në karrierë, seminare, punëtori, e shumë mundësi të tjera.

Pasi që theksoi faktin se Kosova ka popullsinë më të re në Evropë dhe një numër të madh të studentëve, ministri Bytyqi tha se, në këtë mënyrë po iu ofrojmë studentëve një mundësi të mirë për t’u zhvilluar profesionalisht dhe për të ecur përpara në rrugën akademike dhe në punësim.

“Është obligim i yni që të krijojmë shumë më shumë mundësi për studentët tanë, në mënyrë që ta bëjmë më të lehtë qasjen e tyre në përgatitje profesionale dhe në punësim”, tha Ministri, ndërsa falënderoi të gjithë partnerët zhvillimor që po vazhdojnë ndihmojnë arsimin dhe të rinjtë e Kosovës me projekte të rëndësishme si kjo databazë.

Qendra për Zhvillim të Karrierës në Universitetin e Prishtinës është themeluar më 2007 me ndihmën e OSBE-së, ndërsa Databaza e cila u lansua sot është zhvilluar nga USAID-i përmes programit për Transformimin e Lidershipit.

Last modified: 25 Gusht, 2022

Comments are closed.