MASHT

Ministri Buja: Përkrahim fuqishëm institucionalizimin e mësimit plotësues në diasporë

11 Mars, 2012

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z.Ramë Buja, gjatë qëndrimit në Gjermani është takuar me diasporën shqiptare, ndërkaq ka marrë pjesë në takimet konsultative dyditore, që po mbahen në Shtutgard të Gjermanisë, me temën “Gjendja aktuale e mësimit plotësues në diasporë dhe hapat për intitucionalizimin e tij”.

Në këto takime konsultative, po marrin pjesë edhe ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli, ambasadori i Kosovës në Gjermani, Vilson Mirdita, ambasadori i Kosovës në Zvicër, Naim Malaj, rektori i UP, Mujë Rugova, Nagip Skenderi, sekretar i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe përfaqësues të këshillave të mësimit plotësues në Itali, Suedi, Belgjikë, Austri, Zvicër dhe Gjermani.

Në ditën e parë të konsultës për mësimin plotësues në diasporë, ministri Buja, pasi ka uruar të gjithë mësimdhënësit për 7 Marsin- Ditën e Mësuesit, në fjalën përshëndetëse tha se përkrah fuqishëm idenë për institucionalizimin e mësimit plotësues në diasporë, ndërkaq përmendi shumë të arritura në drejtim të përmirësimit të gjendjes së mësimit shqip në diasporë, duke ofruar një pasqyrë statistikore për mësimin plotësues në diasporë sipas të dhënave që ka MAShT.

“Janë bërë përpjekje që shkolla shqipe e mësimit plotësues në diasporë të institucionalizohet. Kemi filluar me Zvicrën dhe do të vazhdojmë me vende tjera”, tha ministri Buja.

Ministri tha se Ministria e Arsimit tashmë ka nxjerrë Udhëzimin Administrativ për shkollat e mësimit plotësues në gjuhën amëtare në diasporë nr.10.2011, ndërkaq sugjeroi që mësimi plotësues që organizohet në diasporë të jetë në përputhje të plotë me legjislacionin përkatës të shtetit ku mbahet mësimi.

Ministri Buja përmendi faktin se diaspora e Republikës së Kosovës përfshin së paku një të katërtën e qytetarëve të saj, një pjesë e madhe e të cilëve janë fëmijë dhe të rinj të moshës së arsimit të detyrueshëm, pjesa më e madhe të rinjve kanë lindur jashtë Kosovës.

Ministri theksoi peshën e madhe që ka diaspora dhe kontributin e saj në të gjitha proceset nëpër të cilat ka kaluar Kosova, ndërsa tha se këtë duam t’ua shpërblejmë duke u përkujdesur për pasardhësit tanë, që ta ruajnë gjuhën, kulturën dhe traditën shqiptare.

Ndërkohë, përfaqësues të këshillave të mësimit plotësues në Itali, Suedi, Belgjikë, Austri, Zvicër, Gjermani paraqiten gjendjen aktuale të arsimit shqip në shtetet ku ata jetojnë. Gjate ditës së shtunë janë mbajtur 4 seanca, ndërsa të dielen pritet të mbahen edhe 2 seance tjera pune, si dhe permbyllja e konsultës ku do të dalin me konkluzione.

Gajtë qëndrimit në Gjermani, ministri Buja i shoqëruar nga ambasadori i Kosovës në Gjermani dhe ai i Zvicrës kanë marrë pjesë në një program kulturo-artistik, organizuar nga mërgimtaret kosovarë që jetojnë në Gjermani.

Ndryshe, takimet konsultative me diasporën, që organizohen nga Ministria e Diasporës në bashkëpunim me Konsullatën e Republikës së Kosovës në Shtutgard, i paraprijnë organizimit të një konference kombëtare me temën “Institucionalizimi i arsimit në diasporë”, që do të mbahet në Prishtinë.

Last modified: 29 Gusht, 2022

Comments are closed.