Ministri i Arsimit, i Shkencës dhe i Teknologjisë, z.Ramë Buja, ka marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së punimeve të Seminarit XXXIII Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.
Para shumë studiuesve, punonjësve shkencorë dhe akademikëve nga Kosova dhe vende të ndryshme të botës, ministri Buja theksoi rolin dhe rëndësinë që ka pasur Seminari në faza të ndryshme nëpër të cilat ka kaluar vendi ynë për 40 vite, prej kur ka filluar të organizohet.
Ministri Buja theksoi se Seminari, përveq karakterit studiues e studimor, ka pasur edhe karakterin patriotik për vite të tëra, por theksoi se edhe tash “miqtë tanë, dashamirësit e gjuhës, kulturës dhe letërsisë kombëtare, gjithmonë kanë qenë ambasadorët më të mirë të çështjes sonë kombëtare”.
“Duke qenë pjesëmarrës të këtij Seminari gjithë këta miq që kemi këtu sot, gjithë këta studiues dhe studentë, e bëjnë këtë Seminar të ketë kuptimin, të ketë karakterin dhe të ketë peshën studimore që e ka pasur gjithmonë”, tha ministri Buja.
Ministri Buja uroi që Seminari për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare edhe kësaj radhe të arrijë suksese të mëdha, sepse “albanologjia ka fusha të paeksploruara dhe ka nevojë për studiues të kësaj lëmie edhe nga studiuesit brenda, por edhe nga ata jashtë vendit”.
Last modified: 1 Shtator, 2022