Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Ramë Buja ka ndarë sot çmimet për fituesit e garës në letërsi dhe art figurativ, që këtë vit është aktiviteti kryesor i MAShT-it në bashkëpunim me UNICEF-in, për shënimin e 1 Qershorit – Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve.
Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të kësaj gare, që për temë kishte arsimin dhe aftësinë e kufizuar, ministri Buja tha se kjo garë ka qenë kuptimplote dhe nxënësit garues kanë qenë ata që kanë mundësuar të organizohet një ceremoni si kjo.
“MAShT, por edhe Qeveria e Kosovë ka krijuar ligjet dhe strategjitë, por ne duhet të bëjmë akoma më shumë, sepse nëse ne shohim një fëmijë të vetëm, që rrugëve tona na shet cigare, apo një që kërkon lëmoshë, ne nuk jemi mirë në pozicionet tona”, tha ministri Buja.
Ministri i Arsimit theksoi se, MAShT po angazhohet vazhdimisht për gjithëpërfshirje në arsim. “Kjo është detyrë e jona dhe natyrisht ne angazhohemi si institucione që fëmijët ta kenë lirinë e plotë, të drejtën e tyre të plotë dhe gjithsesi edhe obligimet e tyre”.
Pasi uroi nxënësit për punën që kanë bërë në këtë garë, arsimtarët për punën e tyre dhe përkushtimin e prindërve, ministri Buja u zotua se “do të bëjmë edhe më shumë se që kemi bërë për fëmijët tanë”.
Ndërsa, Laila Omar Gad, udhëheqëse e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, theksoi se është shumë e rëndësishme që të adresohen të gjitha nevojat e fëmijëve, sidomos të atyre me aftësi të kufizuara, duke marrë parasyesh sfidat me të cilat ballafaqohen jo vetëm në Kosovë, por në mbarë botën.
Ky aktivitet garues është realizuar me nxënësit e qendrave burimore në gjithë Kosovën. Gara është zhvilluar në dy fusha: në letërsi (përmes esesë) dhe në art figurativ (përmes pikturës) ku janë përfshirë nxënësit e nivelit arsimor brenda qendrave burimore nga klasa e 5-të e më lartë. Ky projekt është shënuar si përcjellje-mbështetje e aktiviteteve të Javës së Arsimit për të Gjithë dhe tema e punimeve është përcaktuar të jetë e njëjtë: “Arsimi dhe aftësia e kufizuar”, e përcaktuar nga UNESCO.
Last modified: 1 Shtator, 2022