MASHT

Ministri Buja mori pjesë në takimin me donatorët e arsimit në Kosovë

8 Dhjetor, 2011

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja me zyrtarë të lartë të MAShT, kanë marrë pjesë sot në takimin e fundit për këtë vit me partnerë zhvillimorë të arsimit në Kosovë.

Me këtë rast u prezantuan draft- dokumenti “Plani i Veprimit 2012”, pjesë e Startegjisë zhvillimore ku janë prezantuar edhe vijat buxhetore të MAShT dhe donatorëve. Është folur edhe për fondin e bashkuar të donatorëve dhe Qeverisë së Kosovës, si dhe Kornizën e Matjes së Performancës (KVP) e cila radhit indikatorët e çdo sektori arsimor për të matur implementimin dhe performancën.

Ministri Buja, tha se këtë vit MAShT-i ka miratuar dokumente të rëndësishme, të cilat ndihmojnë në ngritjen e cilësisë në mësim. Në këtë kontekst ai përmendi “Planin Strategjik të Arsimit të Kosovës 2011- 2016, Ligjin për Arsimin Parauniversitarë, Ligjn për Arsimin e Lartë, Kornizën e Kurrikulës së Kosovës, si dhe Standardet e Zhvillimit dhe të Mësuarit në Fëmijërinë e Hershme (0- 6 vjeç)”.

Më tej, ministri Buja theksoi se, këto dokumente shtojnë përgjegjësinë për të realizuar synimin e MAShT-it, sa i përket ngritjes së cilësisë në arsim, gjë kjo e cila bashkë me partnerët ndërkombëtarë mund të arrihet.

Ministri gjithashtu përmendi edhe faktin se MAShT është duke konsoliduar Komitetin drejtues, Task- Forcën për implementimin e Planit Strategjik 2011- 2016, ndërsa shtoi se jemi në procedurë negociuese për të hartuar një draft- memorandum ndërministror dhe partnerët zhvillimorë, që të krijohet një fond i përbashkët me donatorë, për ngritje të kapaciteteve.

Ndërkaq, Sophi Beaumont ( Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian), duke folur për rëndësinë e draf- dokumentit KVP përgëzoi MAShT-in për futjen në jetë të këtij dokumenti të rëndësishëm, i cili do të ndihmoj shumë në raportimin e drejtorëve në të ardhmen.

Beaumont tha se, këtë që po e bënë Ministria e Arsimit nuk është duke u bërë në institucionet tjera të Kosovës. “Vështruar nga Bashkimi Evropian vlerësohet shumë investimi në sektorin e arsimit, ndërkohë që kjo është e qëndrueshme për aq sa merr pjesë edhe Qeveria e Kosovës”, u shpreh ajo.

Ministri i Arsimit, në fund ka uruar përfaqësuesit ndërkombëtarë për festat e fundvitit, për të shtuar se bashkëpunimi i ndërsjellë në vitetet e ardhshme do të jetë edhe më i frytshëm.

Last modified: 29 Gusht, 2022