Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, ka marrë pjesë sot në hapjen e edicionit të gjashtë të Konferencës Kombëtare të Bibliotekonomisë, me temën “Perspektivat kombëtare në integrimet evropiane”.
Ministri Buja me këtë rast ka vlerësuar lartë bashkëpunimin e ndërsjellë të Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës dhe Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, të cilat nesër do të përurojnë linkun e përbashkët elektronik.
“Uroj veçanërisht hapjen e portalit të dy bibliotekave tona të mëdha, të pashkëputshme asnjëherë dhe natyrisht tash të lidhura edhe më një link të veçantë elektronik, Portalit të Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, i cili do të përurohet nesër”, ka thënë ministri Buja.
Ministri i Arsimit në fjalën e tij është ndalur edhe te çështja e ndarjes së Biobiotekës Kombëtare nga ajo Universitare “para dyzetvjetëve ka filluar nisma për të ndarë Bibliotekën Kombëtare nga ajo universitare, por unë besoj që unë dhe drejtori do ta bëjmë në këtë mandat sa jemi bashkë, sepse në fakt shembuj pozitiv kemi iniciativa dhe puna e angazhimit nuk mungojnë dhe natyrisht që unë besoj shumë se do të realizohet, sepse ka nevojë shumë që kjo të ndahet, ngaqë ka natyrë tjetër kombëtarja nga universitarja”, është shprehur Buja.
Ndërsa, drejtori i BKUK-së, Sali Bashota, nga ana e tij, ka theksuar se pasurimi i koleksioneve bibliotekare dhe zhvillimi i tyre përmes portaleve më të fuqishme të informacionit global botëror është nismë e bibliotekave kombëtare drejt universalitetit të kulturës kombëtare në integrimet botërore të Shekullit 21.
Në këtë konferencë dyditore do të bëhet edhe përurimi i Portalit Albanologjik Shqipëri- Kosovë, i cili konsiderohet ndër projektet më të rëndësishme për kulturën shqiptare dhe prijëse e proceseve të digjitalizmit dhe afirmimit të vlerave kombëtare.
Last modified: 29 Gusht, 2022