MASHT

Ministri Buja hapi aktivitetin “Java e Arsimit për të Gjithë”

23 Prill, 2012

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Ramë Buja, në shkollën e mesme teknike ” Fehmi Agani” në Klinë , ka shpallur të hapur aktivitetin ” Java e arsimit për të gjithë” me temë “Të rinjtë, shkathtësitë dhe puna”, me theks të veçantë zhvillimi i shkathtësive të të rinjve në shkollat tona.

Këtë javë shkollat do të realizojnë aktivitete të ndryshme edukativo-arsimore (sipas zgjedhjes së tyre: debate, ekspozita, orë letrare, shfaqje teatrale, dhe aktivitete tjera) në përputhje me temën e përmendur.

Ministri i Arsimit, Ramë Buja, me këtë rast tha se kjo javë është e karakterit global dhe i kushtohet kryesisht zhvillimit dhe aftësimit profesional të të rinjve, përkatësisht aftësimit të tyre për jetën.

“Rezultati i juaj është evident ndonëse në kushte jo të mira, ndërkaq çështja e shkollave dhe arsimit profesional është brengë e të gjithë neve. Ne si institucioni më i lartë arsimor i vendit po insistojmë që kjo të përmirësohet në vazhdimësi dhe në këtë kontekst kemi marrë iniciativën dhe do të themelojmë Agjencionin për Arsim dhe Aftësim Profesional, i cili do të avancojë më shumë këtë sektor të arsimit”, tha ministri Buja.

Në vazhdim, ministri Buja me bashkëpunëtorë ka vizituar punëtoritë e kësaj shkolle ku po zhvillohej mësimi praktik dhe ku ishin ekspozuar edhe punimet nga ky proces mësimor, me ç`rast për së afërmi bisedoi edhe me nxënësit lidhur me procesin mësimor, kushtet për mësim dhe çështje tjera.

“Porosia ime është që të mësoni sa më shumë. Kosova është dhe do të jetë vend i mundësive të mëdha dhe me perspektivë të ndritshme edhe për ju të dashur nxënës”, theksoi ministri Buja.

Ministri Buja dhe kryetari i komunës së Klinës, Sokol Bashota, kanë vizituar objektin në ndërtim të shkollës së mesme në qytet dhe u shpreh se kjo shkollë do të ndërtohet sa më parë që të jetë e mundur.

Për nxënësit e dalluar në mësim dhe punën praktike, ministri Buja ka ndarë mirënjohje dhe shpërblime të veçanta.

Drejtori Komunal i Arsimit në Klinë, Ramiz Rrusta e njoftoi ministrin Buja me zhvillimet aktuale në fushën e arsimit në këtë komunë, e cila sipas tij, përgjithësisht është në nivelin e duhur. Ai tha se komuna e Klinës ka rreth 12 mijë nxënës, ndërkaq për mësimdhënie janë të angazhuar 640 punëtorë arsimor.

Ndryshe, fushata globale për Javën e Arsimit për të Gjithë është aktivitet i shpallur nga UNESKO dhe çdo vit mobilizon vendimmarrësit dhe ministrat e arsimit nga e gjithë bota me synim që të promovoj arsimin si e drejtë fondamentale e çdo individi.

Kësaj iniciative i është bashkangjitur edhe Kosova, respektivisht MASHT-i që nga viti 2005, ku prej atëherë janë organizuar aktivitete në përputhje me qëllimin e kësaj fushate me temën e përcaktuar nga UNESKO.

Last modified: 29 Gusht, 2022

Comments are closed.