MASHT

Ministri Buja falënderon Suedinë për ndihmën e dhënë arsimit

14 Shkurt, 2012

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z.Ramë Buja, priti sot ambasadoren e Suedisë në Kosovë, znj. Ingrid Johansson, e cila shoqërohej nga znj. Maria Melbing, koordinatore e projektit SIDA – donacion i Suedisë për Kosovën. Temë e këtij takimi ishte shqyrtimi i mundësive për bashkëpunim të mëtejmë dhe përgatitjet që duhet bërë për organizimin e një konference të përbashkët me donatorët e që do të jetë organizim i përbashkët i Bashkimit Evropian dhe Ministrisë së Arsimit.

Ministri Buja ka falënderuar ambasadoren Johansson për ndihmën që Suedia ka dhënë për Kosovën, duke filluar që nga njohja e pavarësisë e më pastaj në zhvillimin institucional të vendit tonë me theks të veçantë sektorin e arsimit.

“Ne çmojmë shumë kontributin e SIDA-s suedeze në ngritjen e cilësisë në arsim, duke konsideruar se përvojat tuaja janë ndër më të mirat. Arsimi është një ndër prioritetet e Qeverisë së Kosovës dhe ndihma juaj në këtë drejtim është më se e nevojshme”, tha ministri Buja.

Ambasadorja Johansson tha se vendi i saj prioritet të investimeve në Kosovë e ka sektorin e arsimit, por “në të ardhmen do të fokusohemi edhe në sektorin e ekonomisë dhe fusha tjera zhvillimore. Ne jemi shumë të kënaqur me bashkëpunim dhe sukseset e arritura, ndërkohë që do të insistojmë që donatorët të grumbullojnë mjetet në një fond të përbashkët, i cili do të shfrytëzohej sipas prioriteteve të Qeverisë apo sektorëve të ndryshëm zhvillimor”, tha znj.Johansson.

Ndërkaq, koordinatorja e projektit SIDA, znj.Melbing, theksoi nevojën e bashkëpunimit të MAShT me qëllim të organizimit të një konference të përbashkët me donatorët, e cila kryesisht do të ketë për qëllim koordinimin e donacioneve për Kosovën, shqyrtimin e buxhetit të Kosovës dhe ndihmën që duhet bërë sipas prioriteteve që ka përcaktuar Qeveria e Kosovës përkatësisht Ministria e Arsimit dhe ministritë tjera. Ajo gjithashtu ofroi draftin e një Memorandumi të Bashkëpunimit, i cili së shpejti do të nënshkruhet nga MAShT, Ministria e Bujqësisë dhe SIDA Suedeze.

Ministri Buja u shpreh i gatshëm të ndihmojë në përgatitjen e konferencës së paralajmëruar, e cila do të mbahet në Mars këtij viti, njëherësh ka falënderuar ambasadoren Johansson dhe koordinatoren Melbing për angazhim dhe kontribut të veçantë në ngritjen e kapaciteteve institucionale të vendit.

Last modified: 29 Gusht, 2022

Comments are closed.