MASHT

Ministri Bajrami vizitoi shkollën “Iliria” me rastin e fillimit të gjysmëvjetorit të dytë të vitit shkollor 2016/2017

16 Janar, 2017

Me rastin e fillimit të gjysëmvjetorit të dytë të vitit shkollor 2016/2017, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami i shoqëruar nga drejtorja e Drejtorisë Komunale të Arsimit në Prishtinë, znj Arbërie Nagavci, vizituan shkollën fillore dhe të mesme të ulët “Iliria” në Prishtinë.

Ministri Bajrami me këtë rast ka theksuar se, në të gjitha shkollat e Republikës së Kosovës sot ka filluar gjysmëvjetori i dytë me një javë humbje dhe se Ministria e Arsimit do të bëjë planin e kompensimit të kësaj vonese për shkak të situatës klimatike dhe rreziqeve nga gripi.

Ministri Bajrami e ka vlerësuar shumë të rëndësishëm fillimin e këtij gjysmëvjetori, sa i përket mobilizimit të përgjthshëm të shkollave, të mësimdhënësve, nxënësve dhe drejtorëve për të ngritur cilësinë. 

Duke folur edhe për ngritjen e pagave për mësimdhënsit e përkushtuar në ngritjen e cilësisë në arsim, ministri Bajrami tha se këto ditë do të vendosim edhe një sistem të stimulimit të mësimdhënësve përmes pagave. “Ministria e Arsimit do të bëjë një koncept të ri të financimit, ku mësimdhënësit do të stimulohen me paga sipas performancës. Nuk do të ketë ulje të pagave apo statusit të mësimdhënësve, por Ministria do të angazhohet që të ketë ngritje të pagave në proporcion me ngritjen e cilësisë në sistemin arsimor”, është shprehur Ministri.



Ministri Bajrami po ashtu ka thënë se, MAShT do të punojë bashkë me Drejtoritë Komunale të Arsimit, në mënyrë që tu ofrohet mbështetje e nevojshme në ndërtimin e një sistemi, ku përzgjedhja e mësimdhënësve dhe drejtorëve të shkollave do të bëhet përmes kritereve profesionale, si dhe faktorizimin e prindërve në ndërtimin e një sistem cilësor të edukimit.

Ndërsa, znj. Arbërie Nagavci, drejtore e Arsimit në Prishtinë bëri të ditur se në komunën e Prishtinës ka filluar mësimi në të gjitha shkollat dhe se gjatë përiudhës së pushimeve është themeluar ekipi komunal për sigurimin e cilësisë.

Last modified: 26 Gusht, 2022

Comments are closed.