MASHT

Ministri Bajrami vizitoi Qendrën e SOS Fshatit të fëmijëve në Prishtinë

23 Dhjetor, 2015

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, me rastin e festave të fundvitit ka vizituar Qendrën e SOS Fshatit të fëmijëve në Prishtinë, me ç’rast ka ndarë dhurata për fëmijët në këtë Qendër.

Gjatë kësaj vizite, ministri ka vizituar ambientet SOS Fshatit, ku bashkëjetojnë fëmijët e moshave të reja, e që janë pa kujdesin prindëror. Ministri gjithashtu, në mënyrë simbolike iu është bashkëngjitur fëmijëve në rregullimin e bredhit në Kopshtin Fshatit, preu tortën festive me ta dhe në fund iu ndau dhurata.

Ministri Bajrami, ka përgëzuar stafin e kësaj qendre për punën që ata bëjnë, për kujdesin, edukimin dhe ngrohtësinë që iu ofrojnë këtyre fëmijëve, e për të cilën, siç tha ai, kanë aq shumë nevojë.

“Më vjen mirë që shoh fytyrat e gëzuara të këtyre fëmijëve kaq të bukur, të cilët kanë nevojë për  kujdesin tonë ndaj tyre, për ofrimin e mundësive për një edukim të mirë dhe aftësim për jetën, ashtu si edhe moshatarët e tyre kudo në vend“.

Ministri Bajrami, u informua nga përgjegjësit e Qendrës për kushtet e punës, nevojat që kanë, si dhe për çështje të tjera.

Sipas stafit menaxhues, kujdesi ndaj këtyre fëmijëve vazhdon deri në moshën 21-22 vjeç, kur ata  aftësohen dhe të bëhen të pavarur për jetë. Ndërsa, ata thanë se i gjithë stafi është shumë i angazhuar në punën preventive dhe ndihmën e fëmijëve që kanë nevojë edhe në shtëpitë e tyre.

Në fund, ministri Bajrami mori pjesë edhe në programin e shkurtër artistik të këtyre fëmijëve, si dhe ndau dhuratat dedikim për ta, si shenjë e mbështetjes për lumturinë dhe mirëqenien e tyre në jetë.

”Ne si Ministri, e kemi përkrahur në vazhdimësi këtë institucion dhe do të vazhdojmë edhe më  tutje ta ndihmojmë,  sidomos në fushën  e edukimit dhe arsimimit “, tha në fund ministri Bajrami.

Ndryshe, në këtë qendër  jetojnë rreth 90 fëmijë  të moshave të ndryshme, prej  të cilëve 18 janë nën moshën 3 vjeç, kryesisht  fëmijë pa kujdes prindëror, ose të braktisur për shkaqe nga më të ndryshmet, ndërsa të tjerët janë të rritur dhe vijojnë mësimin  në shkollat e afërta.

Last modified: 30 Gusht, 2022

Comments are closed.