MASHT

Ministri Bajrami vizitoi disa institucione të arsimit në Gjakovë dhe Malishevë

5 Maj, 2015

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, ka vizituar sot Qendrën e Kompetencës në Malishevë, më pas Universitetin e Gjakovës “Fehmi Agani” si dhe dy shkolla (Shkollën Fillore “Kelmend Rizvanolli” dhe Shkollën e Mesme të Muzikës “Prenk Jakova”) në Gjakovë.

I shoqëruar nga kryetari i Malishevës, z. Ragip Begaj, në vizitën në Qendrën e Kompetencës në këtë Komunë, ministri Bajrami para nxënësve dhe mësimdhënësve tha se kjo Qendër është një prej shkollave model të arsimit profesional në Kosovë. Ministri iu tha nxënësve se ata kanë rastin që të aftësohen, të krijojnë shkathtësi me të cilat do të jenë afër tregut të punës.

Sa i përket mësimit dual (teorik dhe praktik), i cili aplikohet në këtë qendër të kompetencës, ministri Bajrami tha se është synim i MAShT që të aplikohet sa më shumë , në gjithë sistemin e arsimit profesional në Kosovë.

Ministri Bajrami theksoi se do të angazhohet për autonomi të shkollave profesionale, por gjithnjë duke e pasur parasysh ngritjen e cilësisë në mësimdhënie. Prandaj, ai tha se do të mbështesë ngritjen e kapaciteteve për menaxhim të buxhetit, i cili ndahet për shkolla, por edhe të hyrave eventuale vetanake.

Ndërkaq, ministri Bajrami, më pas, ka vizituar Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë, ku i shoqëruar nga kryetarja e kësaj komune, znj.Mimoza Kusari-Lila, ka pasur një takim me u.d e rektorit, z. Hasan Muja. Në këtë takim, ministri tha se do të angazhohet që universitetet e reja publike të jenë të profilizuara në fusha të ndryshme, ndërsa foli edhe për fillimin e debatit për ndryshimin e Ligjit për Arsimin e Lartë, me të cilat ndryshime pritet të bëhen reforma në këtë nivel të arsimit.

Pas takimit që ka pasur edhe me studentët e këtij universiteti, ministri Bajrami ka vizituar shkollën fillore “Kelmend Rizvanolli”, e cila ka qenë donacion i familjes Rizvanolli nga Gjakova. Në këtë shkollë ministri ka komunikuar me nxënës, ndërsa mësimdhënësit i ka përgëzuar për punën e tyre. Ministri theksoi se është i përkushtuar për krijimin e ambienteve për mësimdhënie dhe mësimnxënie cilësore. Ai tha se në shkollat e Kosovës do të futet fryma garuese për cilësi dhe në këtë mënyrë do të kemi shkollën më të mirë, mësimdhënësin më të mirë dhe nxënësin më të mirë.

Ndërsa, në vizitën që i ka bërë shkollës së mesme të muzikës “Prenk Jakova”, ministri Bajrami ka thënë se shkollat janë ato që duhet të zbulojnë talentët e rinj dhe të zhvillojnë kapacitetet e tyre. Ndërkaq, nxënësit e kësaj shkolle kanë ekzekutuar disa pika muzikore si rezultat i punës profesionale që bëhet në këtë shkollë.

Last modified: 29 Gusht, 2022

Comments are closed.