MASHT

Ministri Bajrami takoi Kryesinë dhe Këshillin Drejtues të SBAShK-ut

20 Shkurt, 2015

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami është takuar sot me Kryesinë dhe Këshillin Drejtues të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK). Në këtë takim, është arritur mirëkuptimi që SBAShK-u të tërhiqet nga forma sindikale e organizimit të ndërprerjes së mësimit. Pas takimit, ministri Bajrami dhe kryetari i SBAShK-ut, z. Rrahman Jasharaj kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për media.

Ministri Bajrami falënderoi të gjithë mësimdhënësit dhe udhëheqësit e tyre sindikal për mirëkuptimin që kanë treguar sa i përket mundësive reale të realizimit të kërkesave të tyre. “Ne kemi qenë shumë transparent dhe shumë realist duke thënë që ne do të kemi kujdes të vazhdueshëm sa i përket sektorit të arsimit”, tha ministri Bajrami.

Ajo çfarë Qeveria e Kosovës dhe MAShT kanë vendosur si prioritet, theksoi ministri, është ngritja e cilësisë dhe ne dëshirojmë që gjithmonë ngritja e pagave, përmirësimi i pozitës materiale të mësimdhënësve të bëhet krahas ngritjes së cilësisë dhe rezultateve të mira. “Si ministër, do të punoj që të zbatojmë kritere të cilësisë dhe varësisht nga progresi në cilësi, të kemi edhe ngritje të pagave”.

Ministri Bajrami përmendi edhe faktin se Qeveria e kaluar ka bërë hapa të mëdhenj drejt përmirësimit të pagave të mësimdhënësve dhe sot paga e mësimdhënësit është një pagë e dinjitetshme.

“Por, ne kemi obligime karshi Kontratës Kolektive dhe këto ditë kemi punuar me tërë energjinë që të përmbushim shumicën e kërkesave të Kontratës. Tashmë është nënshkruar Kontrata unike për mësimdhënës dhe gjithashtu, kemi zgjidhur statusin juridik të punëtorëve të arsimit. Gjithashtu të pensionuarit do të kenë disa privilegje siç është marrja e tre pagave, ndërsa me komuna jemi dakorduar që të bëjmë gjitha përpjekjet për të lehtësuar transportin për mësimdhënës. Janë ndarë 11 milion euro nga Buxheti i Kosovës që do të jepen për pagesën e përvojës së punës dhe kjo do të filloj të zbatohet së shpejti”, numëroi ministri Bajrami disa nga aktivitetet që janë ndërmarrë kohët e fundit rreth çështjes së kërkesave të mësimdhënësve.

Ministri theksoi se Qeveria e Kosovës ka vendosur një pako të kursimeve, të cilat do të shkojnë në elemente tjera të Kontratës Kolektive, (siç është shujta), por edhe në përmirësimin e kushteve materiale të mësimdhënësve si dhe përmirësimin e pozitës së nxënësve.

Kryetari i SBAShK-ut, z. Rrahman Jasharaj falënderoi ministrin Bajrami për përkrahjen që i ka dhënë Sindikatës dhe kërkesave për përmirësimin e pozitës së mësimdhënësve. “Ministri ka bërë të pamundurën që të na gjendet pranë. Mësimi do të vazhdojë normalisht me përpjekjet e përbashkëta edhe për ngritje të cilësisë”.

Last modified: 29 Gusht, 2022

Comments are closed.