MASHT

Ministri Bajrami priti rektorin e “Universitetit të Sarajevës”z . Rifat Shkrelji

17 Janar, 2017

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z.Arsim Bajrami, priti një delegacion të universitetit publik të Sarajevës (US) të kryesuar nga rektori Rifat Shkrelji, të cilët këto ditë po qëndrojnë për një vizitë pune në Kosovë, me qëllim të thellimit të bashkëpunimit në fushën e arsimit të lartë ndërmjet Universitetit të Sarajevës dhe Universiteteve Publike të Kosovës.

Ministri i Arsimit me këtë rast tha se është mirë që po fillon një bashkëpunim konkret ndërmjet universitetit prestigjioz të Sarajevës dhe universiteteve tona publike, për të krijuar një mundësi të mirë të këmbimit të përvojave, studentëve dhe përgjithësisht një mobilitet akademik  ndërmjet dy vendeve.

Ministri Bajrami tha se ne si Qeveri  e mbështesim këtë bashkëpunim  i cili mundëson që profesorë të dalluar të Universitetit të Sarajevës të ndihmojnë universitetet tona, të cilat zhvillojnë programe në gjuhën e komunitetit boshnjak. 

Kjo njëherit është një mundësi më shumë për të përfituar nga fondet evropiane për zhvillimin e arsimit të lartë dhe të hulumtimeve shkencore në fusha të ndryshme  dhe po ua hapim rrugën të rinjve tanë të të dy vendeve që të ndjekin shkollimin e lartë sipas dëshirave dhe orientimeve të tyre profesionale, tha ministri Bajrami.



Ndërkaq rektori i Universiteti të Sarajeve Rifat Shkrelji, tha se ndjehet i nderuar me pritjen që i`u është bërë dhe gatishmërinë e universiteteve publike të Kosovës për të bashkëpunuar, për të këmbyer përvoja, programe, studentë dhe kuadrin profesional aty ku është  e mundur. Ai përmendi faktin që Universiteti i Sarajevës është Universiteti më i mirë i ranguar në Bosnje dhe Hercegovinë dhe se ka potencial profesional për të mbështetur universitete publike të Kosovës.

Universiteti i Sarajevës këto ditë ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me universitetin “Ukshin Hoti” të Prizrenit dhe universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, ndërsa ditëve në vijim do të nënshkruaj marrëveshje të bashkëpunimit edhe me universitetin “Kadri Zeka” të Gjilanit dhe universitetin “Haxhi Zeka” të Pejës.

Last modified: 26 Gusht, 2022

Comments are closed.