MASHT

Ministri Bajrami priti përfaqësues botërorë dhe evropianë të sindikatave të arsimit

5 Qershor, 2015

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, priti sot sekretarin e përgjithshëm të Internacionales Botërore të Arsimit, z. Fred Wan Leeuwen dhe nënkryetarin e Komitetit të Sindikatave Evropiane të Arsimit, z.Walter Dresscher, të shoqëruar nga udhëheqësit e Sindikatës së Arsimit të Kosovës. Në këtë takim u bisedua rreth gjendjes së arsimit në Kosovë dhe reformave që janë duke u bërë në të gjitha nivelet e arsimit.

Ministri Bajrami theksoi se, mësimdhënësit janë shtylla qëndrore e reformave, që po bëhen me qëllim të ngritjes së cilësisë në arsimin parauniversitar, por edhe atë të lartë. Ndërsa, ai përmendi edhe dy ligjet, për të cilat është duke u zhvilluar debati publik, e që do të vendosin rend akademik dhe menaxherial në këtë nivel të shkollimit.

Gjatë takimit është biseduar edhe për organizimin sindikal botëror dhe punën e Internacionales Botërore të Arsimit, pjesë e të cilës është edhe SBAShK-u.

Këto dy organizata kanë ndihmuar arsimin në Kosovë edhe në kohët më të vështira për vendin, por e kanë mbështetur në forma të ndryshme edhe pas vitit 1999. Delegacioni po qëndron në Kosovë në kuadër të planifikimit të aktiviteteve për Ballkanin dhe në përgatitje të Kongresit të 7 të Internacionales Botërore të Arsimit.

Last modified: 29 Gusht, 2022

Comments are closed.