MASHT

Ministri Bajrami priti një grup ekspertësh të arsimit profesional të Zvicrës

14 Prill, 2016

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami priti një grup ekspertësh të arsimit profesional të kantonit të Cyrihut të Zvicrës , me të cilët bisedoi për mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve,mundësitë e trajnimit të mësimdhënësve dhe drejtorëve të shkollave profesionale , njëherësh u prezantua një program dokumentar të punës praktike të nxënësve në ndërmarrje dhe institucione të Zvicrës.

Ministri Bajrami, njoftoi mysafirët për ecuritë në arsimin e Kosovës, me fokus arsimin profesional, me ç`rast tha se mësimi dual, ndërlidhja e shkollës me ekonominë është synim yni i së ardhmes, ndërsa shtoi se jemi shumë të angazhuar  që të krijojmë partneritete shkollë ndërmarrje  dhe krahas kësaj rritjen e cilësisë në arsim.

Ministri Bajrami theksoi nevojën e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, që Kosova , të përfitojë nga përvoja dhe modelet zvicerane të organizimit të arsimit profesional, si një ndër sistemet më të avancuara të arsimit në botë , njëherësh tha se aftësimi i të rinjve për tregun  e punës  në rini të hershme është me rëndësi jetike për të ardhmen e vendit.  

Ministri Bajrami gjithashtu tha se, është  me rëndësi të veçantë orientimi në karrierë, punësimi i të rinjve në rini të hershme  ku ata do të pavarësohen, të bëhen të zotë në profesionin e tyre, të krijojnë  të ardhura dhe një ditë  mbase të vazhdojnë edhe me shkollimin e lartë, ndërsa modelet zvicerane të arsimit profesional janë shembull i mirë që duhet të ndjekim edhe ne  tha ministri Bajrami.

Ministri Bajrami  ka falënderuar vendet e Bashkimit Evropian, me ndihmën e të cilave tashmë janë ndërtuar disa Qendra të Kompetencës, ku zhvillohet mësimi teorik dhe praktik ,  ku  nxënësit, përkatësisht shkolla krijojnë produkte për treg , por theksoi nevojën e hartimit të kurrikulës dhe teksteve shkollore adekuate për  arsimin profesional, si dhe trajnimin e vazhdueshëm të mësimdhënësve.

Ndërsa, z Giorgio Ciroli , ekspert i arsimit profesional dhe menaxhimit publik  tha se  është shumë i impresionuar me të arriturat e Kosovës për një periudhë të shkurtër  dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunim dhe mbështetje  në zhvillimin e  arsimit profesional, në Kosovë për faktin se  kjo shton gjasat për punësim të të rinjve dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Në fund u prezantua një  material dokumentar, i gjiruar në ambiente të ndryshe  në kohën kur nxënësit zviceran bëjnë punën praktike, duke ofruar kështu një model të mirë të organizimit të mësimit, ndërlidhjes se teorisë me praktikën.

Last modified: 30 Gusht, 2022

Comments are closed.