MASHT

Ministri Bajrami priti një delegacion nga Millennium Challenge Corporation

2 Qershor, 2016

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami ka pritur sot një delegacion nga Millennium Challenge Corporation (MCC) – Washington. Qëllimi i takimit ishte njoftimi i akterëve kyç me procesin e zhvillimit të projektit “Compact” në Kosovë dhe hartimi i analizës së kufizimeve kryesore ekonomike (Kosovo Constraints Analysis).

Ministri Bajrami, pasi ka prezantuar gjendjen në sistemin e arsimit në Kosovë në të gjitha nivelet dhe objektivat e Qeverisë së Kosovës për reformimin dhe ngritjen e cilësisë, me theks të veçantë në Arsimin Profesional, ka bërë të ditur edhe mënyrat përmes së cilave po synohen reformat në këtë fushë.

Ministri Bajrami ka folur për angazhimin e vazhdueshëm të MAShT për përfshirjen në praktikë profesionale të 10 mijë nxënësve dhe studentëve brenda vitit, me pretendim për punësimin e 50 përqind prej tyre.

“Ky është vit i Arsimit Profesional dhe kjo po synohet të arrihet përmes tri objektivave kryesore: hartimit të Kurrikulës së specializuar për shkollat profesionale, caktimit të profileve me gjasa të larta për punësim dhe lidhja e përhershme e shkollave me bizneset. Jemi në kërkim të modelit të mësimit dual. Kemi hulumtuar praktikat më të mira evropiane dhe po mundohemi që të gjejmë modelin kosovar, në përputhje me zhvillimin ekonomik të vendit”, ka thënë ministri Bajrami.

Ministri Bajrami, po ashtu, ka bërë të ditur se Ministria e Arsimit ka thelluar bashkëpunimin me universitete prestigjioze ndërkombëtare, përmes nënshkimit të Marrëveshjeve të Bashkëpunimit dhe programeve për mobilitete.

Ndër të tjera, ministri Bajrami ka theksuar se, çelës i suksesit në ngritjen e cilësisë është trajnimi dhe avancimi i metodave të mësimdhënies, duke u ofruar mundësinë nxënësve që të shprehin shkathtësitë e tyre, sidomos në fushën e teknologjisë informative.

Pjesë e delegacionit ishte edhe Ministri i Jashtëm në detyrë dhe koordinatori i MCC, z. Petrit Selimi dhe z. Alban Zogaj, ekonomisti kryesor në MCC. 

Last modified: 30 Gusht, 2022

Comments are closed.