MASHT

Ministri Bajrami priti në takime të ndara udhëheqësit e USAID-it dhe UNICEF-it

16 Janar, 2015

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë z. Arsim Bajrami, ka pritur sot në takime të ndara një delegacion nga USAID-i, të prirë nga drejtori i kësaj organizate në Kosovë, z. James Hope, dhe më pas shefen e Zyrës së UNICEF-it për Kosovë, znj.Laila Omar Gad. Në këto takime është biseduar për thellimin e bashkëpunimit në fushën e arsimit, me qëllim të rritjes së cilësisë në arsim.

Në takimin me udhëheqësit e USAID-it, ministri Bajrami falënderoi për ndihmën e madhe që i kanë dhënë arsimit në Kosovë, përmes projekteve shumë të rëndësishme, ndërsa theksoi se ndihma e tyre është shumë e nevojshme edhe në të ardhmen.

“Ne do të koncentrojmë punën tonë në rritjen e cilësisë në të gjitha nivelet e arsimit dhe mbështetja juaj në këtë drejtim do të na ndihmonte shumë, në mënyrë që të kemi mësimdhënie dhe mësimnxënie cilësore, e si rezultat edhe arsim cilësor dhe zhvillim ekonomik”, tha ministri Bajrami.

Drejtori i USAID-it, z. James Hope, e informoi ministrin Bajrami për programet, të cilat aktualisht është duke i mbështetur kjo organizatë, ndërsa premtoi mbështetje të mëtutjeshme për prioritetet dhe iniciativat që ka ministri Bajrami për zhvillimin e sektorit të arsimit.

Ndërsa, ministri Bajrami u shpreh falënderues edhe për mbështetjen e madhe që ka dhënë UNICEF-i, në takimin që pati me shefen e kësaj organizate për Kosovën, znj. Laila Omar Gad, ku ministri foli për prioritetet që ka gjatë mandatit të tij dhe synimin për ngritjen e cilësisë në arsim.

Znj. Laila Omar Gad tha se UNICEF-i e ka mbështetur vazhdimisht sektorin e arsimit dhe do të vazhdojë ta mbështesë ministrin Bajrami në projektet për rritjen e cilësisë në arsim.

Last modified: 30 Gusht, 2022

Comments are closed.