MASHT

Ministri Bajrami priti në takime të ndara përfaqësues të Bankës Botërore dhe të Agjencionit Gjerman për Bashkëpunim Ndërkombëtar

18 Dhjetor, 2014

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami ka pritur në takim udhëheqës të Bankës Botërore në Prishtinë, drejtorin z. Jan Peter Olters dhe zyrtaren e lartë të operacioneve, znj. Flora Kelmendi. Z. Olter i uroi ministrit Bajrami detyrën e re dhe theksoi se Banka Botërore do të vazhdojë ta mbështesë këtë sektor të rëndësishëm edhe në të ardhmen me projekte që synojnë ngritjen e cilësisë në arsimin parauniversitar.

Ministri Bajrami falënderoi Bankën Botërore për ndihmën e madhe që i ka dhënë sektorit të arsimit. “Arsimi është sfera më e rëndësishme shoqërore prandaj ne do të punojmë për ngritjen e cilësisë”, tha ministri Bajrami. Ai falënderoi Bankën Botërore për projektin e zhvillimit institucional të arsimit (IDEP) në periudhën 2008-2013.

Gjatë këtij takimi është biseduar për projektet që ka realizuar Banka Botërore në sektorin e arsimit, si dhe për planet për investime të reja. Znj. Flora Kelmendi e informoi ministrin se projekti i ri që Banka Botërore planifikon ta realizojë, do të ketë në fokus ngritjen e cilësisë në arsim, duke qenë se tashmë ka përfunduar projekti përmes të cilit është investuar më shumë në infrastrukturë.

Ministri Bajrami theksoi se projekti i ri do ta ndihmojë jashtëzakonisht shumë në arritjen e qëllimit për cilësi në arsimin parauniversitar, por, ai përmendi edhe interesimin e tij për ngritjen e cilësisë në arsimin e lartë. Ministri njoftoi udhëheqësit e Bankës Botërore që do të tërheq për rishikim Ligjin për Arsimin e Lartë dhe do të organizojmë një proces gjithëpërfshirës të diskutimeve publike së bashku me udhëheqësit e institucioneve të arsimit lartë, komunitetin akademik dhe studentor, shoqërinë civile, në mënyrë që të arrijmë të finalizojmë një ligj të mirë për arsimin e lartë që adreson mangësitë dhe shqetësimet që jo rrallë herë janë ngritur. z. Olters tha se do të mendohet për përkrahje nga Banka Botërore edhe në këtë drejtim.

Ministri Bajrami gjatë ditës së sotme është takuar edhe me përfaqësues të Agjencionit Gjerman për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), z. Christoph Heil dhe z. Helmuth Kohler, të cilët i uruan ministrit detyrën që sapo e ka marrë. Ministri falënderoi Qeverinë Gjermane dhe GIZ-in për mbështetjen e madhe dhënë sektorit të arsimit dhe aftësimit profesional. “Arsimi profesional është mundësi kyçe për punësim dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomike dhe social të vendit. Ngritja e mëtutjeshme e këtij sektori të arsimit do të jetë një fokus i veçantë i imi”, tha ministri Bajrami dhe siguroi përfaqësuesit e GIZ-it që do të kenë mbështetjen e plotë për zbatimin e projekteve që ata janë duke i realizuar në sektorin e arsimit, e po ashtu edhe për projekte të reja në të ardhmen. “Kontributi juaj është shumë i rëndësishëm për arsimin profesional dhe ju ftoj që të punojmë së bashku për zhvillimin e këtij sektori, i cili është mundësi e mirë për të zgjidhë shumë probleme të shoqërisë kosovare”, tha ministri Bajrami.

Last modified: 30 Gusht, 2022

Comments are closed.