MASHT

Ministri Bajrami priti ministrin e Arsimit dhe Shkencës të Maqedonisë

4 Shtator, 2015

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami priti sot në takim ministrin e Arsimit dhe Shkencës të Maqedonisë, z.Abdilaqim Ademi, me të cilin ka biseduar për thellimin e bashkëpunimit mes të dy shteteve në fushën e arsimit.

Ministri Bajrami përmendi takimin e ministrave të rajonit, të mbajtur në Vlorë ku të dy ministrat kanë nënshkruar Marrëveshje Bashkëpunimi për bashkëpunim në sferën e arsimit. “Kjo marrëveshje është një bazë shumë e mirë që ne të koordinojmë politikat në sferën e arsimit, të shkembejmë përvoja dhe të mundësojmë një qarkullim të lirë të nxënësve, të studentëve, të profesorëve”, tha ministri Bajrami dhe theksoi se me ministrin Ademi, ka biseduar edhe për bashkëpunim dhe shkëmbim të përvojave në arsimin profesional.  

Ministrat Bajrami e Ademi, në mënyrë të veçantë kanë biseduar për bashkëpunim në sferën e arsimit të lartë dhe për krijim të programeve të përbashkëta në këtë drejtim.
“Jemi të vendosur që të krijojmë programe të përbashkëta midis universiteteve tona, sidomos për master dhe doktoraturë, të stimulojmë rektorët tanë që të shkëmbejnë përvojat edhe në kuadër të konferencave të rektorëve, të shkëmbejmë literaturën, të marrim pjesë në projekte të përbashkëta të programit Erasmus+ dhe projektit evropian Horizon 2020”, ”, tha ministri Bajrami, ndërsa theksoi se është biseduar edhe për mundësinë e krijimit të një Erasmus-i shqiptar.

Të ndërtojmë standarde unike të arsimit të lartë, tha ministri Bajrami dhe të krijojmë një hapësirë ku studentët shqiptarë në hapësira shqiptare të lëvizin pa kufizime që të tregojmë se arsimi dhe edukimi nuk njeh kufij, por vetëm cilësi dhe standarde.
 
Ministri i Arsimit të Maqedonisë, z. Abdilaqim Ademi, tha se është pajtuar me ministrin Bajrami që të themelohet një grup i përbashkët teknik, i cili brenda 30 ditësh do të përgatisë një program ekzekutiv, për konkretizimin e marrëveshjes së nënshkruar në Vlorë. 
 
“U dakorduam që në bazë të asaj marrëveshjeje të përpilojmë edhe programet ekzekutive nga një grup i përzier nga përfaqësuesit e dy ministrive. Sferat e bashkëpunimit në arsim, në shkencë dhe në zhvillimin teknologjik, janë sfera që ndihmojnë shoqëritë tona, vendet tona dhe popullin shqiptar”, tha ministri Ademi. 

Ministri Ademi, poashtu theksoi se do të ndihmojnë Republikën e Kosovës për t’u pranuar në organizatat ndërkombëtare, veçanërisht në Procesin e Bolonjës. 

Ministrat Ademi dhe Bajrami patën takim edhe me rektorin e Universitetit “Hasan Prishtina” në Prishtinë, z.Ramadan Zejnullahu.

Last modified: 31 Gusht, 2022

Comments are closed.