MASHT

Ministri Bajrami mori pjesë në takimin me Drejtorët Komunal të Arsimit

13 Dhjetor, 2016

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, ka marrë pjesë në takimin e radhës me drejtorët e Drejtorive Komunale të Arsimit, pas publikimit të rezultateve të vlerësimit të PISA 2015, me ç`rast u fol për masat që po ndërmerr MAShT-i për sanimin gjendjes, si dhe përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë në arsim.

Ministri Bajrami, me këtë rast tha se, ka qenë e nevojshme që të kemi një vlerësim të tillë ndërkombëtar, që të kemi një vlerësim real dhe të kemi mundësinë për reflektim, vetëdijesim të gjithë akterëve që kanë të bëjnë me arsim, që të kemi një konsensus të përbashkët për  masat që do të ndërmerren për ngritjen e cilësisë.

Ministri Bajrami ftoi drejtorët komunal të arsimit që të jenë më të angazhuar, të kontaktojnë drejtorët e shkollave dhe mësimdhënësit, t’i inkurajojnë ata për një punë më të suksesshme, për më shumë përgjegjësi dhe  llogaridhënie.

Ministri Bajrami theksoi nevojën e depolitizimit të plotë të arsimit dhe tha se do të krijohet një mekanizëm i pavarur për zgjedhjen e drejtorëve të shkollave,  që ti shmangemi ndikimit të politikës në këtë proces. 

“Ka përfunduar pilotimi i  Kurrikulës dhe kjo tashmë duhet të zbatohet në të gjitha shkollat, ndërsa koordinatorët për cilësi në shkolla duhet të jenë mësimdhënësit më të mirë“,  tha ministri Bajrami dhe kërkoi që të formohen bordet profesionale në nivel të komunës, të cilat do të vlerësonin performancën e shkollës dhe të cilësisë së arsimit në komunë. 

Në vazhdim, ministri Bajrami tha se  do të punohet më shumë edhe me mësimdhënës, që të sigurohemi se i plotësojnë standardet që kërkohen për mësimdhënie bashkëkohore. 

Ministri Bajrami foli edhe për tekstet shkollore, me ç’rast tha se së shpejti do të nënshkruajmë  marrëveshje (kontrata) me Qeverinë Gjermane dhe vende tjera për standardizimin e teksteve tona shkollore.

Ministri Bajrami tha se  me angazhimin e përbashkët, ne mund të presim rezultate të mira në PISA 2018  dhe se kjo është kohë e reflektimit  dhe marrjes së përgjegjësive për të pasur një arsim më cilësor. Ndërsa, Ministri vuri në theks se është e nevojshme që arsimi të jetë prioritet numër një i vendit.

Last modified: 29 Gusht, 2022

Comments are closed.