MASHT

Ministri Bajrami mori pjesë në takimin e radhës së Konferencës së Rektorëve

27 Shtator, 2016

Në prak të fillimit të vitit të ri akademik 2016/2017, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, ka marrë pjesë në takimin e radhës së Konferencës së Rektorëve të Universiteteve Publike të Kosovës.

Ministri Bajrami përgëzoi rektorët për organizimin e mirë të provimeve pranuese në universitetet publike, duke siguruar kështu kredibilitet të këtij procesi, ndërsa uroi për fillimin e vitit të ri akademik. 

Ministri iu premtoi rektorëve mbështetjen e plotë në segmentet ku Ministria mund të ndihmojë, ndërsa përmendi edhe procesin e akreditimit të programeve të studimeve dhe tha se edhe këtu janë vendosur disa standarde që po respektohen. 

“Ministria e Arsimit është e interesuar që të orientojë programet drejt nevojave të tregut të punës, që të zhvillojmë me shumë përgjegjësi projektin e profilizimit të universiteteve tona dhe që me kohë secili universitet të krijojë identitetin e vet”.

Sa i përket financimit të universiteteve publike, ministri Bajrami theksoi se është duke u diskutuar edhe skema e financimit. “Këtë skemë do ta bëjmë bashkë dhe do të lobojmë së bashku për buxhet më të madh në sferën e arsimin e lartë”. 

Last modified: 29 Gusht, 2022

Comments are closed.