MASHT

Ministri Bajrami mori pjesë në shënimin e Ditës Ndërkombëtare për Personat me Nevoja të Veçanta

3 Dhjetor, 2015

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, mori pjesë në shënimin e Ditës Ndërkombëtare për Personat me Nevoja të Veçanta, me moton “Edhe unë dua të ecë me juve” të organizuar nga Qendrat Burimore në Kosovë, në të cilat janë të integruar rreth 540 nxënës.

Ministri Bajrami, shprehu përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për ofrimin e arsimit cilësor dhe integrimin e plotë në shoqëri, të personave me nevoja të veçanta. “Republika e Kosovës si një vend i ri duhet të investojë, që këta të rinjë të kenë një arsimim cilësor dhe të integruar, sepse këta fëmijë janë plotësisht të barabartë me fëmijët tjerë. Qeveria e Kosovës është e interesuar të punojë, që shkollat të jenë vend ku këta fëmijë do të zhvillohen, të ngriten, të edukohen dhe të punësohen, në mënyrë që të bëhen pjesëtarë të barabartë e shoqërisë kosovare”, tha ministri Bajrami.

Ministri Bajrami foli edhe për rëndësinë e trajnimit të stafit mësimdhënës dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm me Këshillin e Prindërve, në mënyrë që fëmijët me nevoja të veçanta, të kenë trajtimin adekuat dhe konform nevojave të tyre, në ambientet e shtëpisë dhe aty ku zhvillojnë mësimin.

Ndër të tjera, ministri Bajrami përmendi edhe krijimin e institucioneve parashkollore dhe shkollore gjithëpërfshirëse, hartimin e një kurrikule gjithëpërfshirëse, zbatimin efektiv dhe forcimin e mjeteve legjislative të cilat mbështesin arsimin gjithëpërfshirës dhe zhvillimin e Strategjisë Kombëtare të Arsimit Gjithëpërfshirës.

3 Dhjetori njihet si Dita e Ndërkombëtare e Personave me Nevoja të Veçanta që nga viti 1992, kur u caktua nga Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Në Kosovë janë rreth 6100 fëmijë që janë identifikuar si fëmijë me nevoja të veçanta.

Last modified: 30 Gusht, 2022