MASHT

Ministri Bajrami mori pjesë në punëtorinë planifikuese për rishikim të Kurrikulës së Arsimit dhe Aftësimit Profesional

25 Shkurt, 2016

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami mori pjesë në punëtorinë informuese dhe planifikuese për Kornizën Bërthamë të Kurrikulës për Arsim dhe Aftësim Profesional, me ç’rast foli për rëndësinë e rishikimit të Kurrikulës së arsimit profesional dhe e vlerësoi si një proces të domosdoshëm dhe të rëndësishëm për arsimin dhe ekonominë e vendit.
 
“Një sistem i avancuar i arsimit profesional është një imput shumë i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik të vendit, është një faktor shumë i rëndësishëm i krijimit të gjeneratave me kompetencë dhe shkathtësi, një mundësi shumë e mirë e një lidhje të natyrshme që duhet dhe pretendojmë ta ndërtojmë ndërmjet shkollave dhe komunitetit të biznesit“, tha ministri Bajrami.
 
Ministri Bajrami foli edhe për rëndësinë e mësimit dual dhe bashkëpunimin me komunitetin e biznesit për çka tha se, ekziston një gatishmëri për bashkëpunim ndërmjet shkollave profesionale dhe komunitetit të biznesit për zhvillimin e mësimit praktik, ndërsa tha se këtë do ta bëjmë sipas praktikave më të mira që i përshtaten kushteve tona.


 
Duke folur për aspekte përmbajtesore të kurrikulës, ministri Bajrami tha se nuk dëshirojmë të krijojmë nxënës me njohuri të përgjithshme e me mungesë të kompetencave dhe shkathtësive, me të cilat të rinjtë tanë ballafaqohen në tregun e punës dhe se do të kujdesemi që të hartojmë kurrikulë të mirë që ofron mundësi aftësimi dhe përgatitje të nxënësve me kompetenca e shkathtësi profesionale. Ai theksoi se në këtë proces jemi në bashkëpunim me GIZ-n dhe bashkëpunëtorë tjerë,  ndërsa foli edhe për nevojën e rishikimit të teksteve shkollore.
 
“Viti 2016 është vit i arsimit profesional në Kosovë, me moton ‘Arsim për Punësim’   dhe kjo arrihet më një arsim cilësor. Tani jemi duke punuar edhe projektin e madh të Bashkimit Evropian në përshtatjen e shkollave profesionale nevojave te tregut të punës”, tha ministri Bajrami.
 
Ministri Bajrami, mori pjesë edhe në tryezën e rrumbullakët me temë “ Drejtësia Tranzicionale në planprogramet e shkollave të mesme”, ku theksoi se planprogramet do të kenë përmbajtje të mira, që ofrojnë mundësinë e pajisjes së të rinjve me njohuri profesionale, kulturë dhe qytetari evropiane.

Last modified: 30 Gusht, 2022

Comments are closed.