MASHT

Ministri Bajrami mori pjesë në konferencën vjetore Alternativat e Fuqizimit të Privatësisë

28 Janar, 2016

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami mori pjesë në konferencën vjetore “Alternativat e fuqizimit të privatësisë”, të organizuar nga Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Me këtë rast, ministri Bajrami ka përgëzuar Agjencinë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, duke e cilësuar atë si një institucion shumë të rëndësishëm për vendin, ndërkaq shtoi se, MAShT dhe AShMDhP kanë një bashkëpunim të mirë, sa i përket vendosjes së standardeve të transparencës dhe mbrojtjes së privatësisë.

“Tashmë kemi krijuar një partneritet afatgjatë, në mënyrë që të vendosim standardet e transparencës dhe të privatësisë, sepse mbi bazën e kushtetutës sonë, kemi shpallë transparencën si parim kushtetues, por njëkohësisht duhet të kemi standarde ndërkombëtare për ruajtjen e privatësisë dhe të dhënave “, tha ministri Bajrami.

Ministri tha se, në kuadër të bashkëpunimit reciprok me agjencinë po punojmë në shumë projekte në shkollat tona, e që është një trend evropian ku shkollat janë të hapura jo vetëm për prindër, por edhe për komunitetin.

Në vazhdim, ministri tha se tashmë në nivel të ministrisë kemi caktuar standardet dhe koordinatorët që do të merren me ruajtjen e privatësisë dhe se në këtë drejtim po punohet edhe me DKA-të dhe universitetet tona.

Ministri gjithashtu theksoi se, MAShT është e angazhuar që të punojë jo vetëm në aspekte të reformës arsimore, por edhe në aspektin e hapjes së shkollave karshi opinionit, prindërve dhe të tjerëve.

“Tanimë në disa shkolla tona kemi sistemin on-line të komunikimi,t ku ka mundësi që prindërit të shohin drejtpërdrejtë fëmijët e tyre në shkolla dhe këtë do ta vazhdojmë edhe me projekte tjera të teknologjisë së informacionit, por gjithashtu jemi të angazhuar që të mbrojmë fëmijët tanë edhe nga përmbajtjet e papërshtatshme në internet”, tha në fund ministri Bajrami.

Last modified: 30 Gusht, 2022

Comments are closed.