MASHT

Ministri Bajrami mori pjesë në Konferencën “Angazhimi i Shoqërisë Civile kundër Ekstremizmit të Dhunshëm”

28 Shkurt, 2017

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, mori pjesë në Konferencën “Angazhimi i Shoqërisë Civile kundër Ekstremizmit të Dhunshëm”, e cila kishte për qëllim promovimin e paqes, tolerancës dhe mesazheve të bashkëjetesës.

Ministri Bajrami me këtë rast ka theksuar se, rruga më e mirë e luftimit të radikalizmit dhe ekstremizmit që shpie në terrorizëm është edukimi i mirë, cilësor, gjithëpërfshirja, si dhe kultivimi i bashkëjetesës, diversitetit dhe tolerancës në sistemin arsimor.

Ministri Bajrami tha se, edukimi pozitiv i fëmijëve që në moshë të hershme do të ndikonte drejpërsëdrejti në ngritjen e vetëdijëdijes lidhur me pasojat që mund të sjellin radikalizmi dhe ekstremizmi.

“Ne duhet që në Kurrikula të promovojmë frymën e edukimit pozitiv. Fëmijëve tanë duhet që në moshë të hershme t’u tregojmë se diversiteti kulturor dhe fetar është përparësi për vendin. Kushtetuta jonë është e orientuar në frymën e bashkëjetesës së komuniteteve dhe bashkësive fetare. Fëmijët tanë duhet të edukohen që, cilado ideologji tjetër është e huaj dhe e papranueshme për shkollat tona”, është shprehur Ministri.

Ndër të tjera, ministri Bajrami vlerësoi se, rol të rëndësishëm në luftimin e këtyre dukurive kanë tekstet shkollore dhe parandalimi i efekteve negative që mund të ketë qasja në internet.

Konferenca është organizuar në kuadër të programit “Angazhimi për Barazi – E4E”, financuar nga USAID dhe implementuar nga Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim (ATRC).

Last modified: 26 Gusht, 2022