MASHT

Ministri Bajrami mori pjesë në hapjen e Ekspozitës së Teknologjisë Arsimore

4 Qershor, 2015

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, ka marrë pjesë në hapjen e Ekspozitës së Teknologjisë Arsimore, e cila është organizuar nga MAShT dhe Programi për Arsimin Themelor i USAID-it.

“Është kënaqësi që sot jemi në këtë ekspozitë, e cila të gjithëve na bën krenarë, sepse shohim që reformimi i sistemit arsimor nuk është një mision i pamundur kur ke këta fëmijë kaq inteligjentë, këta nxënës që kanë imagjinatë dhe ndonjëherë të pamundurën e bëjnë të mundur”, tha ministri Bajrami.

Duke theksuar rëndësinë e Programit për Arsim Themelor, ministri Bajrami tha se ky është një impuls i madh që i është dhënë Qeverisë së Kosovës për të përmirësuar në përgjithësi shkollat tona sa i përket cilësisë, rritjes së kapacitetit të shkollave dhe në mënyrë të veçantë përmirëson metodologjinë e mësimdhënies.

Ministri tha se, nga ajo që u pa në ekspozitë, ja ka vlejtur ky projekt dhe partneriteti i fuqishëm me USAID-in, sepse kemi krijuar nxënës të edukuar, të shkathtë, të cilët sot demontrojnë gjëra shumë të rëndësishme që ata i aftësojnë për jetë. “Ne e dëshirojmë një sistem arsimor që krijon njerëz të shkathtësive, njerëz të kompetencave, të lirojmë programet tona nga teoritë e panevojshme, të fusim metodologji të mirë të mësimdhënies”, tha ministri.

Ministri Bajrami theksoi se, po punojmë që në komplet sektorin e arsimit të ngrisim cilësinë duke i orientuar kurrikulat tona drejt shkathtësive, drejt demonstrimeve praktike. “Kjo ekspozitë është konfirmim i suksesit të projektit tonë për edukimin bazik, është një siguri për neve si Qeveri dhe për partnerin tonë USAID-in, që ne mund të vazhdojmë me komponenta tjera në vitet e ardhshme, sepse vlerësoj se të ndihmosh Kosovën pas pavarësisë në edukim është gjëja më e mirë”.

Resursi më i madh që ka Kosova janë fëmijët tanë, tha ministri Bajrami, të cilëve nëse ju sigurojmë një edukim të mirë, një sistem arsimor cilësor, kemi bërë një gjë të shenjtë, sepse kemi krijuar një mirëqenie të përgjithshme shtetërore.

Ndërsa, drejtori i misionit të USAID-it në Kosovë, z. James Hope, shprehu kënaqësi për punën inovative të nxënësve që dëshmon për ndërlidhjen e mësimit teorik dhe praktik. Ai theksoi ky është viti i pestë i projektit të USAID-it dhe është shumë i kënaqur me bashkëpunimin me MAShT dhe shkollat pjesëmarrëse në program, por edhe për rezultatet e arritura me këtë program.

Në fund, ministri Bajrami dhe drejtori Hope ndanë çmimet për garën e sfidës së dizajnit për nxënësit dhe mësimdhënësit që janë sfiduar në këtë garë.

Programi për Arsimin Themelor është Program pesë vjeçar dhe është i financuar nga USAID-i dhe Qeveria e Kosovës. Deri me tani Programi ka ofruar llojllojshmëri të mbështetjes së mësimdhënies dhe pajisje për shkollat udhëheqëse dhe shkollat partnere.

Last modified: 29 Gusht, 2022

Comments are closed.