MASHT

Ministri Bajrami mori pjesë në Ditën informuese të Programit Erasmus +

12 Tetor, 2016

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami mori pjesë në Ditën informuese të Programit Erasmus + për thirrjen e re për aplikim, për vitin 2017. Erasmus + është Programi më i ri arsimor i Bashkimit Evropian, i cili synon modernizimin e sistemeve arsimore dhe përshtatjen e tyre me sistemet e Unionit Evropian.

Ministri Bajrami, me këtë rast ka theksuar se, Ministria e Arsimit do të mbështesë punën që bëhet përmes Programit Erasmus +, në mënyrë që hulumtuesit e rinjë të përfitojnë sa më shumë pojekte kualitative, të cilat do të sjellin ndryshime pozitive në institucionet e arsimit të lartë, sa i përket ngritjes së cilësisë, menaxhimit efikas dhe aplikimit të metodologjive bashkëkohore të mësimdhënies.

“Kjo Ditë informative e programit Erasmus+ është një mundësi e mirë për të gjithë bartësit e arsimit të lartë në Kosovë,  për të parë mundësitë që ofron Bashkimi Evropian, në ndërtimin dhe zhvillimin e standardeve të arsimit të lartë në Republikën e Kosovës. Ky Program është një mundësi e shkëlqyeshme që ne të shohim se në cilat segmente mund të bashkëpunojmë me Bashkimin Evropian, për tu bërë nesër anëtarë të plotë të Zonës Evropiane të Arsimit”, është shprehur ministri Bajrami.

Ministri Bajrami, ndër të tjera ka theksuar se, disa nga mundësitë e Programit Erasmus + për universitetet e Kosovës janë ngritja e cilësisë në arsimin  e lartë në shumë dimensione, duke përfshirë edhe mundësinë e mobilitetit sa më të madh akademik dhe studentor brenda hapësirës regjionale, por sidomos asaj Evropiane.

Ministri Bajrami ka ftuar universitetet që të hartojnë sa më shumë projekte për ngritjen e  cilësisë së mësimdhënies, në mënyrë që universiteti të promovohet edhe si promotor i zhvillimit ekonomik.

Last modified: 29 Gusht, 2022

Comments are closed.