MASHT

Ministri Bajrami mbajti konferencën e fundvitit me gazetarë

24 Dhjetor, 2015

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë z Arsim Bajrami ka mbajtur sot koferencën e fundvitit me gazetarë, ku prezantoi të arriturat gjatë vitit 2015 në sektorin e arsimit, por foli edhe për problemet dhe sfidat me të cilat është ballafaquar ky sektor.

Ministri Bajrami tha se, MAShT këtë vit ka pasur objektiv sigurimin e cilësisë në sektorin e arsimit dhe ka pasur si moto kryesore një arsim cilësor, i cili do të sigurojë punësim. 

“Ky është viti i fundit që ne flasim për cilësi, sepse viti 2016 do të jetë fillim i implementimit të cilësisë”, tha ministri, ndërsa ndër të tjera përmendi edhe miratimin e Strategjisë Kombëtare për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin Parauniversitar.

Ministri Bajrami, po ashtu,  përmendi edhe faktin se janë miratuar edhe dhjetëra strategji, janë parë rezultatet e para të kurrikulës, janë marrë masa që të sigurohen menaxherë të mirë të shkollave dhe trajnime për ta, sikur edhe trajnime të vazhdueshme për mësimdhënës.

Sa i përket përmirësimit të infrastruktrurës ligjore, ministri Bajrami përmendi miratimin e Ligjit për Maturën Shtetërore, Ligjit për Akademinë e Shkencave të Kosovës, Ligjit për Arsimin e Lartë (i cili është në procesurë të miratimit), atë për Profesionet e Rregulluara dhe Ligji për Mësimdhënësit e viteve të 90’ta, i cili është dorëzuar në Qeverinë e Kosovës.



Si një nga sukseset e këtij viti, ministri Bajrami e vlerësoi edhe fillimin e përshtatjes së kurrikulave me tregun e punës. Ndërsa, si dështim përmendi mosarritjen që gjatë këtij viti të kemi sukses të ndijshëm në arsimin profesional, derisa u zotua se në fillim të vitit të ardhshëm do të vendosen standarde kombëtare në këtë segment të arsimit.

Duke folur për arsimin e lartë, ministri Bajrami përmendi themelimin e Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, si universitet, i cili lidhet me ekonominë e tregut. Ai, po ashtu, theksoi se janë mbajtur zgjedhjet në shumicën e universiteteve.

Ministri, po ashtu, foli edhe për gjendjen jo të mirë në Universitetin e Prishtinës gjatë këtij viti dhe tha se kjo gjendje MAShT-it i ka marrë shumë energji. “Por, edhe për këtë çështje kemi arritur një konsensus për të shkuar në zgjedhje dhe urojmë që viti i ardhshëm të jetë një vit i stabilitetit në këtë Universitet”.

Sa i përket sektorit privat të arsimit të lartë, ministri tha se është vendosur rend dhe rregull te ky sektor. Ai theksoi vendosmërinë për ta rregulluar edhe më tutje dhe tha se do të mbijetojnë vetëm ato kolegje, të cilat ofrojnë cilësi.

“Jemi shumë optimistë që, gjatë vitit 2016 arsimi do të jetë prioritet kombëtar, krahas zhvillimit ekonomik”, tha ministri Bajrami, ndërsa theksoi se MAShT është ministria që ka pasur më së shumti mbështetje financiare ndërkombëtare këtë vit. 

Ministri Bajrami ftoi të gjithë akterët që të jenë aktiv dhe të ndihmojnë në zhvillimin e arsimit, sepse siq u shpreh ai “një arsim cilësor, një shkollë cilësore dhe universitet cilësor krijon familje të forta, të cilat krijojnë mirëqenie, e kjo krijon një shoqëri demokratike, e që në fund kjo rezulton me më një shtet të fortë”.

Ministri Bajrami, në fund, falënderoi gazetarët dhe mediat në përgjithësi, të cilat kanë qenë një partner shumë i rëndësishëm në të gjitha proceset e zhvilluara në arsim gjatë këtij viti.

Last modified: 30 Gusht, 2022