MASHT

Ministri Bajrami ka vazhduar debatin “Arsim për punësim- 2016 viti i cilësisë”

5 Nëntor, 2015

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, ka vazhduar debatin me nxënës, prindër dhe mësimdhënës “Arsim për punësim – 2016 viti i cilësisë”, në shkollën fillore dhe të mesme të ulët “Ismet Rrahmani” në Aqarevë të Skenderajt. Ky debat, i cili do të vazhdojë edhe në shkolla të tjera të Kosovës, ka për qëllim promovimin e draft-strategjisë  për Sigurimin e Cilësisë.

Ministri Bajrami, me këtë rast, ka theksuar vendosmërinë e Ministrisë së Arsimit për kalimin nga shkollat klasike në shkolla moderne. “Po vazhdojmë debatin për bërjen realitet të deklaratave për shkolla cilësore. Kjo Strategji mundëson kalimin e shkollave tona në shkolla evropiane, cilësore. Dëshirojmë që planprogramet të jenë sa më pak teorike dhe sa më shumë praktike, në mënyrë që nxënësit të pajisen me shkathtësi”, theksoi ministri Bajrami.

Ndër të tjera, ministri Bajrami ka folur edhe për ndryshimin e planprogrameve, ndryshimin e përmbajtjes së teksteve, digjitalizimin e shkollave, sistemin e vlerësimit të performancës, emërimin e koordinatorit për cilësi brenda shkollave, trajnimin e mësimdhënësve dhe sigurimin e një ambienti modern për nxënësit dhe mësimdhënësit.

Ministri Bajrami e theksoi si të rëndësishëm edhe reduktimin e numrit të teksteve shkollore, në mënyrë që pesha e rëndë e çantave të mos mbetet problem shqetësues.
Pas debatit, ministri Bajrami ka vizituar edhe shkollën “Abedin Rexha” në fshatin Turiqec dhe më pas ka marrë pjesë edhe në debatin me mësimdhënës nga kjo komunë, i cili u mbajt në Shtëpinë e Kulturës në Skenderaj, nën organizimin e projektit “Qendra dhe deputeti”.

Last modified: 30 Gusht, 2022

Comments are closed.