MASHT

Ministri Bajrami ka takuar anëtarët e Këshillit të Ekspertëve për Programe dhe Tekste Shkollore

15 Mars, 2016

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami ka takuar anëtarët e Këshillit të Ekspertëve për Programe dhe Tekste Shkollore, të cilët i ka inkurajuar për punën që po bëjnë dhe ka kërkuar që të punojnë me intensitet, në mënyrë që t’ i përmbushin afatet kohore, sa i përket përgatitjes së teksteve për vitin e ardhshëm shkollor.

Ministri Bajrami ka thënë se Ministria e Arsimit është e përkushtuar në ndërtimin e një sistemi efikas të teksteve shkollore, meqë jemi në epokën e teknologjisë së informacionit dhe tani në shumë vende tekstet kanë filluar të ofrohen  në mënyrë digjitale.

“Ministria e Arsimit është e vendosur në krijimin e një sistemi permanent të cilësisë së teksteve dhe ndërtimit të standardeve. Rishikimi i teksteve duhet të jetë sistem i përhershëm, sepse Kurrikula e Re është dinamike dhe kërkon përshtatje. Do të rrisim kapacitetet tona brenda ministrisë, do të angazhojmë ekspertë të rinjë që do të jenë përgjegjës për cilësinë e teksteve, por edhe do të mbështesim punën e Komisionit, si përgjegjëse për cilësinë e teksteve”, ka thënë ministri Bajrami.


Ministri Bajrami ka shpalosur edhe planet e MAShT- it, sa i përket rishikimit të legjislacionit, i cili rregullon fushën e furnizimit me tekste shkollore, për të siguruar një proces transparent të dhënies së të drejtave autoriale, monitorimit të teksteve dhe evitimit të gabimeve, qoftë të aspektit gjuhësor apo redaktorial.

Ndërkaq, zv/ ministrja dhe kryetarja e Këshillit të Ekspertëve për Programe dhe Tekste Shkollore, znj. Anila Statovci- Demaj ka thënë se procesi i punës së Komisionit ndahet në dy faza: fazën e ndryshimeve kualitative për tekstet e vitit shkollor 2016/ 17 dhe fazën e hartimit të teksteve të reja shkollore në bazë të Kurrikulës së Re, objektivë ky që pritet të realizohet gjatë vititi shkollor 2016/ 17, atëherë kur synohet të bëhet edhe shtrirja e plotë e Kurrikulës nëpër shkolla.

Last modified: 30 Gusht, 2022

Comments are closed.