MASHT

MINISTRET NAGAVCI DHE HAXHIU FILLUAN AKTIVITETET E FUSHATËS “16 DITËT E AKTIVIZMIT KUNDËR DHUNËS NDAJ GRUAS” ME VIZITË NË NJË SHKOLLË

25 Nëntor, 2022

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu kanë filluar aktivitetet e fushatës “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës ndaj gruas”, me vizitë në shkollën fillore të mesme të ulët “Faik Konica” në Prishtinë, me ç’rast bashkëbiseduan me nxënës, mësimdhënës dhe menaxhmentin e shkollës për rëndësinë e kultivimit të vlerave, qëndrimeve dhe marrëdhnënieve të shëndosha ndërpersonale.

Ministrja Nagavci tha se është kënaqësi e veçantë të nis ditën duke parë aktivitetet e jashtëzakonshme të nxënësve të kësaj shkolle, ndërsa kërkoi që aktivitete të ngjashme të zgjerohen edhe në shkollat tjera.

Gjatë diskutimit me nxënës, ministrja Nagavci tha se është tepër e rëndësishme që të ngritet vetëdija e shoqërisë për raportimin e rasteve të dhunës sepse vetëm në këtë mënyrë mund të minimizohen dukuri të tilla.

Ndërsa, ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu theksoi nevojën për organizmin e aktiviteteve të tilla vetëdijësuese dhe zgjerimin e tyre edhe në shkolla të tjera.

Ajo tha se, duke bashkëbiseduar për fenomene që e dëmtojnë shoqërinë i kontribuojmë një të ardhmeje të shëndoshë.

Me rastin e shënimit të 25 Nëntorit-Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Gruas, do të mbahen aktivitete të shumta vetëdijësuese edhe në fushën e arsimit.

Me vendim të ministres Nagavci, sot ora e parë e mësimit do t’i dedikohet parandalimit të dhunës ndaj gruas, me pëmbajtje në përputhje me grupmoshat e nxënësve.

Last modified: 25 Nëntor, 2022

Comments are closed.