MASHT

Ministrat, Buja, Çitaku e Stavileci dhe përfaqësuesit e SIDA-as suedeze biseduan për koordinim dhe kohëzgjatje të donacioneve

19 Maj, 2011

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, ministrja për Integrime, Vlora Çitaku dhe ministri i Bujqësisë Blerand Stavileci zhvilluan një takim me përfaqësues të SIDA-as suedeze, të cilët kryesoheshin nga ambasadori i këtij shteti në Kosovë, z .Lars Wahlund dhe znj.Ulla Andren,drejtoreshë e SIDA-as në Kosovë.

Me këtë rast, u bisedua për nevojën e koordinimit të shpërndarjes së donacioneve më qëllim të eliminimit të mundësisë së duplifikimit të tyre në të njëjtën fushë si dhe për mundësinë e kohëzgjatjes së tyre për 1 apo 2 vite më shumë se që është paraparë.

Krerët e përmendur të institucioneve të larta të vendit informuan delegacionin suedez për të arriturat dhe trendet aktuale zhvillimore në sektorë të ndryshëm të vendit si dhe njoftuan për hartimin e rregullores për koordinim të donacioneve në të ardhmen. Ata njëherësh falënderuan për mbështetje të vazhdueshme të këtij vendi mik në përpjekjet e Kosovës drejt progresit dhe integrimeve evropiane.

Me këtë rast, ministri i Arsimit, Ramë Buja, vlerësoi projektin e mbështetur nga SIDA që ka për qëllim arsimimin dhe edukimin e komunitetit romë, ashkalinjë dhe egjiptas (RAE), projektin për Kolegjin Evropian për Studime të Biznesit e të Administratës Publike në Mitrovicë si dhe projektin për arsimin e të rriturve.
“Jemi shumë mirënjohës për ndihmën tuaj të vazhdueshme dhe besoj se kjo do të vazhdoj edhe në të ardhmen,-tha ministri Buja . Ne jemi shumë të interesuar që të kemi arsim cilësor dhe gjithëpërfshirës për çka ndihma juaj është e pazëvendësueshme dhe kohëzgjatja e donacioneve është më se e nevojshme” theksoi ministri Buja.

Ndërkaq, ambasadori Lars Wahlund, tha se është shumë domethënëse që tashmë keni prioritetet e caktuara zhvillimore. Ai u shpreh pro kohëzgjatjes së donacioneve, por theksoi domosdoshmërinë që Qeveria e Kosovës të marrë përgjegjësitë për koordinim të projekteve – donacioneve në të ardhmen.

Last modified: 26 Gusht, 2022

Comments are closed.