MASHT

Me rastin e fillimit të vitit të ri akademik 2014/15, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Ramë Buja, ka uruar të gjithë studentët dhe profesorët

30 Shtator, 2014

Të dashur studentë,
Të nderuar profesorë,

Baza e zhvillimit të një shteti, padyshim se janë universitetet. Ato janë sinonim i të arriturave kulmore në fushën e arsimit, shkencës e të kulturës, por janë edhe bazament i fuqishëm i mirëqenies dhe zhvillimit ekonomik.

Në epokën e zhvillimin të shtetit tonë, roli i studentëve dhe profesorëve të universiteteve të Republikës së Kosovës është rol përcaktues në kuadër të proceseve të integrimit.

Për vite të tëra ne kemi treguar se jemi të gatshëm të ndërtojmë të ardhme të sigurtë dhe për këtë dëshminë kryesore e kemi universitetin, studentët dhe mësimdhënësit, që në periudha të vështira të historisë sonë u përballën nëpër vite me okupimin, shtëpitë private e me protestat. Krahas shkencës, studentët e bënë edhe luftën për liri deri në sakrificë.

Të nderuar,

Besojmë fuqishëm që së bashku do t’i ngrisim vazhdimisht universitetet tona. Pra, ajo që Ju mund të bëni tani, është avancimi i universiteteve tuaja, rruga drejt ngritjes së cilësisë, rruga drejt Evropës.

Uroj që puna juaj në të ardhmen të jetë bazë e fuqishme për ndërtimin dhe zhvillimin e vendit tonë. Veçanërisht, uroj ata studentë që për herë të parë kanë filluar studimet, në mënyrë që më pas të avancojnë shkencën, sepse studimi dhe shkenca janë edhe sinonim i një shteti të dijes.

Ramë Buja
Ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë

Last modified: 31 Gusht, 2022

Comments are closed.