MASHT

MBI 61 PËRQIND E NXËNËSVE NË VEND MORËN PJESË NË MËSIM PLOTËSUES

2 Gusht, 2021

Mbi 61 përqind të nxënësve në nivel vendi kanë marrë pjesë në mësimin plotësues të organizuar me vendim të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

Ky proces i realizuar në koordinim me DKA-të dhe institucionet edukativo-arsimore ka nisur më 7 maj dhe ka zgjatur deri në përfundimin e vitit shkollor, ndërsa është realizuar për nxënësit nga klasa 1-12, të cilët kanë pasur ngecje në arritjen e rezultateve si pasojë e pandemisë Covid-19.

Mësimi plotësues u organizua në fushat, Gjuhët dhe komunikimi, Matematikë dhe Shkencat natyrore, ku nevoja për organizimin dhe mbajtjen e mësimit plotësues ishte e domosdoshme.

Në një raport që e ka hartuar MAShTI del se, mësimin plotësues në nivel vendi e kanë vijuar gjithsej 181.630 nxënës nga klasa 1-12, apo 61.64 përqind e nxënësve në nivel vendi, duke i realizuar gjithsej 100.365 orë mësimore.

Nga analiza dhe vlerësimi i përgjithshëm i raporteve komunale, konstatohet se në fushën ‘Gjuhët dhe komunikimi’, mësimin plotësues e kanë vijuar gjithsej 62.485 nxënës, apo 21.21 përqind të nxënësve, duke i realizuar 37.535 orë mësimore.

Në Matematikë mësimin plotësues e kanë vijuar 56.820 nxënës, apo 19.28 përqind e nxënësve, duke i realizuar gjithsej 32.705 orë mësimore.

Në Biologji konstatohet se mësimin plotësues e kanë vijuar 22.856 nxënës, apo 7.76 përqind të nxënësve në nivel vendi, duke i realizuar 10.123 orë mësimore.

Në Fizikë nga të dhënat e përpunuara, mësimin plotësues e kanë vijuar 21.293 nxënës në nivel vendi apo 7.23 përqind e tyre duke i realizuar gjithsej 10.571 orë mësimore.

Në Kimi, e kanë vijuar gjithsej 18.176 nxënës apo 6.17 përqind në nivel vendi, duke realizuar gjithsej 9.431 orë mësimore.

Viti shkollor 2020/2021, na ka përcjellë me sfida dhe vështirësi të shumta në shumë dimensione edhe në proceset arsimore, si pasojë e pandemisë COVID-19, gjë që ka ndikuar edhe në organizimin e mësimit sipas skenarëve të ndryshëm, duke reflektuar edhe në humbjen e orëve mësimore.

Prandaj, MAShTI vlerëson se procesi i organizimit të mësimit plotësues ka reflektuar dhe ndihmuar nxënësit sadopak në arritjen e rezultateve dhe kompensimin e mësimit të humbur.

MAShTI rekomandon që organizimi dhe mbajtja e mësimit plotësues duhet të planifikohet edhe për vitin shkollor 2021/2022, për nxënësit që kanë ngecje në të nxënë. Një tjetër rekomandim është që të identifikohen nxënësit se në cilat fusha apo lëndë kanë nevojë për mbështetje në arritjen e rezultateve sipas planprogramit mësimor-lëndor.

Po ashtu, të identifikohen nxënësit me gjendje sociale më të dobët  duke i specifikuar nevojat elementare të tyre për t’i  ndihmuar ata në krijimin  e mundësisë që të jenë të barabartë në procesin e mësimnxënies krahas moshatarëve të tyre.

RAPORT- ORGANIZIMI I MËSIMIT PLOTËSUES PËR NXËNËSIT QË KANË SHFAQUR NGECJE NË ARRITJEN E REZULTATEVE SI PASOJË E COVID-19 

Last modified: 7 Qershor, 2022

Comments are closed.