MASHT

MASHTI ORGANIZON PUNËTORI RRETH SIGURIMIT TË CILËSISË, MBROJTJES SË FËMIJËVE DHE ELIMINIMIT TË PENGESAVE NË ARSIM

24 Maj, 2021

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka organizuar punëtori me Drejtoritë Komunale të Arsimit, ku po diskutohet për rolin e drejtorive në mbështetje të shkollave në sigurimin e cilësisë, mbrojtjen e fëmijëve dhe eliminimin e pengesave të qasjes në arsim.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka thënë se duhet angazhim i të gjithëve, në mënyrë që të kemi një edukim të mirëfilltë për vajzat dhe djemtë. Ajo ka kërkuar kujdes për mënyrën e qasjes dhe zgjidhjes së rasteve të dhunës seksuale në shkolla.

Ministrja shtoi se, qëllim kryesor i MAShTI-t është që të gjendet mënyra se si të bashkëpunojnë niveli lokal, qendror, prindërit dhe organizatat e shoqërisë civile, në mënyrë që të rritet vetëdijesimi për raportimin e këtyre rasteve, por edhe të pamundësohet përsëritja e tyre.

Gjatë kësaj punëtorie, Ministrja e përmendi se shumë shpejt do të finalizohet Udhëzimi Administrativ “Edukimi për mbrojtën e fëmijëve në arsim”.

Po ashtu, ajo tha se do të themelohet një grup punues me përfaqësues të prindërve, DKA-ve, shkollave, shoqërisë civile, Ministrisë së Drejtësisë e Ministrisë së Punës, në mënyrë që të sigurohemi se mekanizmat të cilët ekzistojnë janë të zbatueshëm dhe në shërbim të fëmijëve.

Ministrja Nagavci shtoi se, MAShTI do të bëjë kërkesë në Ministrinë e Drejtësisë për të ndryshuar Kodin Penal, në mënyrë që të ashpërsohen masat në të.

Kjo punëtori, e cila ka nisur sot, do të vazhdojë deri më 26 maj.

Disa nga rezultatet që MAShTI pret t’i arrijë  janë: mekanizma koordinues funksional në nivel qendror, komunal e në nivel shkolle; sistem funksional i paralajmërimit të hershëm të braktisjes, parandalim të dhunës dhe dukurive negative; vetëdije e ngritur e institucioneve shkollore e komunale për adresimin sistemor të problemeve që e sfidojnë zhvillimin e fëmijëve; rritje e cilësisë së të dhënave për fëmijët braktisës dhe ata që janë në rrezik për braktisje, etj. 

Last modified: 8 Qershor, 2022