MASHT

MAShTI organizoi tryezë diskutimi ku u prezantuan modelet për rritjen e qasjes në EFH

23 Nëntor, 2023

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit organizoi sot tryezën e diskutimit mbi Edukimin në Fëmijërinë e Hershme, duke u fokusuar në temën e financimit dhe diversifikimin e modeleve të ofrimit të shërbimeve për EFH, me qëllim zgjerimin e qasjes dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve.

Në këtë tryezë u prezantuan modelet për rritjen e qasjes në Edukimin në Fëmijërinë e Hershme përmes diversifikimit, realizuar nga UNICEF dhe koston e modeleve të ofrimit të shërbimeve për EFH në Kosovë, studim analitik i kryer nga Banka Botërore.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci me këtë rast tha se, kjo ngjarje vjen në vazhdën e dinamikës së pandalur drejt përmirësimit të shërbimeve për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme, që është një nga prioritetet e Ministrisë së Arsimit.

Ministra Nagavci theksoi se dy studimet e prezantuara, nga UNICEF dhe Banka Botërore po bëhen në një moment vendimtar për MASHTI, kur si Ministri kemi filluar procesin e hartimit të akteve nënligjore që dalin nga Ligji i ri për EFH, të cilat bëjnë riorganizimin e këtij niveli të edukimit në aspektin e përgjithshëm.

Nagavci tha se, edukimi cilësor i fëmijës sot sjell pasurimin e vendit me individ produktiv nesër, andaj ftoi të gjithë që të japin kontributin e tyre në këtë proces me rëndësi jetike.

Ndër të tjera, ministrja foli edhe për punën dhe angazhimin e madh të MAShTI, partnerëve, ekspertëve dhe mbështetësve të saj në hartimin e draftit të Kurrikulës së re për EFH dhe fillimin e pilotimit të saj në terren.

Shefja e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Nona Zicherman, tha se, UNICEF-i do të vazhdojë të punojë bashkë me Ministrinë e Arsimit dhe Bankën Botërore në këtë agjendë tepër të rëndësishme dhe do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në zhvillimin e Edukimit në Fëmijërinë e Hershme.

Menaxheri i Bankës Botërore për Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, Massimiliano Paolucci tha se investimi në vitet e hershme është një nga gjërat më të mira që një vend mund të bëjë, pasi fillimi i mirë dhe kujdesi i duhur në jetë, shtojnë mundësinë që ata të arrijnë potencialin e plotë intelektual dhe të jenë produktivë.

Last modified: 23 Nëntor, 2023

Comments are closed.