Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Arbërie Nagavci dhe drejtori i Projektit EYE(Rritja e Punësimit për të Rinj), z. Pieter Ypma nënshkruan sot Marrëveshje të Mirëkuptimit, e cila ka për qëllim rritjen e cilësisë së Institucioneve të Arsimit dhe Aftësimit Profesional për krijimin e kuadrove të nevojshme për tregun e punës.
Me anë të kësaj marrëveshjeje do të themelohen dhe ngriten kapacitetet e së paku 10 qendra të karrierës në IAAP të cilat do të lehtësojnë tranzicionin e nxënësve nga IAAP-të në tregun e punës.
Ministrja Nagavci me këtë rast ka falënderuar Qeverinë Zvicerane si financuese e projektit, për mbështetjen që po i jep sektorit të arsimit në Kosovë, në krijimin e kuadrove të nevojshme për tregun e punës dhe rritjes së mundësisë së punësimit të të rinjve.
Ministrja ka thënë se, MASHTI do të punojë në koordinim më të gjithë donatorët dhe palët e interesit në standardizimin e modelit të qendrave të karrierës në IAAP si dhe do të zhvillojë legjislacionin sekondar për këto qendra.
Ndërsa, drejtori i Projektit EYE( Rritja e Punësimit për të Rinj), z. Pieter Ypma tha se përmes kësaj Marrëveshjeje, do të mundësohet zhvillimi profesional i mëtutjeshëm i stafit të qendrave për karrierë, me qëllim të zhvillimit të shërbimeve të reja për këshillim dhe orientin në karrierë.
Last modified: 7 Qershor, 2022