MASHT

MAShT ka bërë vlerësimin e nevojave shtesë të objekteve shkollore në funksion të mësimit tërëditor

6 Nëntor, 2017

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, bashkë me zyrtarët përgjegjës të Departamentit të Infrastrukturës Shkollore, ka prezantuar sot një raport të detajuar rreth gjendjes ekzistuese të hapësirave shkollore dhe hapësirave shtesë që janë të nevojshme për realizimin e mësimit tërëditor në gjithë vendin.

Sipas këtij raporti, Kosova ka 1175 ndërtesa shkollore dhe në shumicën e objekteve punohet me dy ndërrime. Ndërsa, për të realizuar mësimin tërëditor në të gjitha shkollat e Kosovës, nevojiten edhe 142 objekte të reja shkollore dhe 85 anekse, si dhe 218 salla të sportit.

Sipas kalkulimeve, vlera investive e hapësirës së nevojshme shkollore shtesë është rreth 371 milion euro.

Me këtë rast, ministri Bytyqi theksoi se një ndër qëllimet e projektit qeverisës, ka qenë futja e mësimit tërëditor në Kosovë, mirëpo nga vet fakti se ne kemi mungesë të shkollave në Kosovë, kemi vendosur që të gjejmë saktë se sa shkolla na duhen për të kompletuar infrastrukturën shkollore për të filluar me aplikimin e mësimit tërëditor.

“Qëllimi i mësimit tërëditor, është ngritja e cilësisë në arsimin parauniversitar, pra është një ndër faktorët që do të ndikojë në ngritjen e cilësisë në arsim”, tha ministri Bytyqi dhe theksoi se tash që i kemi informatat e detajuara për hapësirën shkollore ekzistuese, mbetet që të gjenden mundësi për ta plotësuar atë.  

“Meqë informatën e kemi më herët se sa që e kemi planifikuar, ajo çka na mbetet është që, së bashku me Qeverinë, të gjejmë mënyrat se si do t’i qasemi gjetjes së financimit të kostos dhe fillimit të ndërtimit të shkollave, të cilat mungojnë në territorin e Kosovës”, theksoi ministri Bytyqi, ndërsa tha se do të kërkohet edhe ndihma e donatorëve në këtë drejtim.

Ndërsa, drejtorja e Departamentit të Infrastrukturës Shkollore, Fadile Dyla prezantoi raportin e përgatitur nga ky Departament, ku janë analizuar hapësirat shkollore ekzistuese dhe ato të nevojshme për secilën komunë.

Prezentimi për mësimin tërë-ditor: http://masht.rks-gov.net/uploads/2017/11/prezentimi-per-mesimin-tereditor.ppt

Last modified: 25 Gusht, 2022

Comments are closed.